Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Këshilli i Legjislacionit: Vendimet e Kushtetueses do shqyrtohen me procedurë parlamentare

Këshilli i Legjislacionit: Vendimet e Kushtetueses do shqyrtohen me procedurë parlamentare

Këtë të premte te 6 shtatorit, Këshilli për Legjislacionin u mblodh për të diskutuar mbi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me disa çështje kryesore, përfshirë Rregulloren e Kuvendit, Tatimin mbi Profesionet e Lira, si dhe ligjin për Komisionet Hetimore.

Kryetarja e Këshillit, Dhurata Çupi, theksoi se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën lidhur me Rregulloren e Kuvendit. Ajo nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe konsensusit në ndryshimet e kësaj rregulloreje, duke kritikuar ashpërsimin e masave të njëanshme që, sipas saj, dëmtojnë demokracinë parlamentare.

Sa i përket tatimit të profesioneve të lira, Çupi shprehu shqetësimin për pasigurinë rreth kësteve të paguara nga profesionistët e lirë dhe bëri thirrje për një iniciativë ligjore që të kompensohen të gjithë ata që kanë paguar këstet në bazë të ligjit tashmë të shpallur antikushtetues.

Nga ana tjetër, deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, propozoi që të caktohen relatorë nga të dyja palët politike për secilën prej çështjeve të ngritura. Ajo propozoi Eduard Shalsin si relator për ligjin e tatimit mbi të ardhurat, Toni Gogun për rregulloren e Kuvendit, dhe Ermonela Felajn për ligjin mbi komisionet hetimore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehu kritika të forta ndaj mazhorancës, duke theksuar se mazhoranca ka shkelur Kushtetutën në disa raste dhe kërkoi që të merret një iniciativë ligjore për kthimin e parave të paguara nga profesionistët e lirë.

Në përfundim, Dhurata Çupi theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtohen në mënyrë parlamentare dhe nismat përkatëse do të përgatiten nga deputetët e Kuvendit, duke nënvizuar se çështja e tatimit të profesioneve të lira do të trajtohet me urgjencë./Albanianpost