Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Së paku 17 nxënës vdesin nga zjarri në një shkollë në Kenia

Së paku 17 nxënës vdesin nga zjarri në një shkollë në Kenia

Të paktën 17 nxënës kanë vdekur, pasi një shkollë në pjesën qendrore të Kenias u kaplua nga zjarri të enjten në mbrëmje, tha policia e këtij shteti afrikan.

Ka frikë se numri i viktimave mund të rritet, pasi më shumë se dhjetë persona të tjerë janë dërguar në spital me djegie të rënda, raporton televizioni BBC.

Shkaktari i zjarrit në Shkollën Fillore “Hillside Endarasha” në Nyeri është duke u hetuar, tha zëdhënësja e policisë, Resila Onyango, duke shtuar se një ekip i hetuesve është dërguar në vendin e ngjarjes.

Kryqi i Kuq i Kenias tha se është duke u ofruar mbështetje psikologjike nxënësve, mësuesve dhe familjeve të prekura.

Zjarret në shkolla janë relativisht të zakonshme në shkollat me konvikte në Kenia. Në vitin 2017, dhjetë nxënës kishin vdekur nga një sulm me zjarrvënie të qëllimshme në Shkollën e Mesme për Vajza “Moi” në kryeqytetin Nairobi.

Së paku 67 nxënës kishin vdekur në distriktin Machakos, në sulmin më vdekjeprurës me zjarrvënie të qëllimshme në një shkollë të vendit, që ka ndodhur para më shumë se 20 vjetëve.

Powered by WordPress