Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Vjelja e Rrushit Kosova 2024” në Suharekë, Shahini: Kosova ka nevojë për mbështetje të prodhimit

“Vjelja e Rrushit Kosova 2024” në Suharekë, Shahini: Kosova ka nevojë për mbështetje të prodhimit

Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe “Agro Kosova Holding” në Suharekë, kanë mbajtur aktivitetin tradicional “Vjelja e Rrushit Kosova 2024”. Aktiviteti, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po JU?”, mblodhi kultivues të rrushit, nga niveli lokal e përfaqësues të bizneseve vendore.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se tashmë ky është një event tradicional. Ai i bëri thirrje Qeverisë të fokusohet më shumë në përmirësimin e kushteve për investime të huaja dhe prodhues vendës.

Sipas tij, kjo është fryma e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve.“Kosova ka nevojë për mbështetje të prodhimit, të shërbimeve të veta sepse shërbimet e Kosovës do të mund ta nritin cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës, nëse Qeveria do të krijojë hapësirë për ta mbështetur ekonominë vendëse”, u shpreh Shahini.

Pronari i “AgroKosova Holding”, Haziz Tafaj, ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij manifesti, AKB-në dhe komunën për mbështetjen e vazhdueshme.

E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, theksoi se komuna që e udhëheq shquhet për prodhimtari e suksese në shumë fusha. Sipas tij, cilësia dhe rendimenti i rrushit sivjet janë të larta.