Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve dhe palëve të interesuara në të gjithë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.
Kjo ditë shënohet edhe në njohjen e rolit të bamirëseve në lehtësimin e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis vendeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave bamirëse dhe individëve, përfshirë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës.
Në Agjendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm të miratuar në Shtator 2015, Kombet e Bashkuara pranojnë që çrrënjosja e varfërisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj, përfshirë varfërinë ekstreme, është sfida më e madhe globale dhe një kërkesë e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Agjenda gjithashtu kërkon një frymë të solidaritetit global, duke filluar nga ndërmarrjet e vogla e deri te kooperativat e mëdha dhe organizatat e shoqërisë civile dhe ato filantropike në zbatimin e Agjendës të përqendruar në nevojat e më të varfërve dhe më të prekurve nga krizat humanitare.
Data e 5 shtatorit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë u zgjodh për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës së Kalkutës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.
Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa më 19 tetor 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve e jetimëve. Ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.
Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Ndërsa Papa Françesku më 4 korrik 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza./kp