Një ish-ndihmëse e guvernatorit të Nju Jorkut, Kathy Hochul dhe ish-guvernatorit Andreë Cuomo, u akuzua se kishte vepruar si agjente për qeverinë kineze, njoftoi të martën prokurori amerikan Breon Peace.
Linda Sun, një ish-zëvendës shefe e stafit të Hochul dhe Cuomo, u akuzua për shkelje dhe komplot duke shkelur Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, mashtrim me viza, kontrabandë dhe pastrim parash.
Bashkëshorti dhe i bashkëpandehuri i saj, Chris Hu, u akuzuan gjithashtu për komplot për pastrim parash dhe komplot për të kryer mashtrime bankare, si dhe për keqpërdorim të mjeteve të identifikimit, thanë prokurorët.
Sipas prokurorëve federalë, 41-vjeçarja përdori pozicionin e saj për të ndihmuar zyrtarët kinezë, duke përfshirë bllokimin e diplomatëve tajvanezë nga kontaktimi me qeverinë shtetërore dhe ndarjen e fshehtë të dokumenteve të brendshme me Pekinin.
Në këmbim, Kina dyshohet se i ka derdhur zonjës Sun dhe bashkëshortit të saj, Christopher Hu, me miliona dollarë ryshfete që i ndihmuan ata të blinin një shtëpi prej 4.1 milion dollarësh në Nju Jork dhe përfitime, duke përfshirë dërgesa speciale.
Sipas aktakuzës ata gjithashtu blenë një godinë me pamje nga oqeani prej 2.1 milionë dollarësh në Honolulu, Haëaii dhe automjete luksoze, duke përfshirë një makinë sportive Ferrari Roma të vitit 2024.
Linda Sun “nuk u regjistrua asnjeherë si agjente e huaj”, thanë prokurorët federalë, dhe ka “fshehur veprimet me urdhër, kërkesë ose udhëzim të qeverisë së Kinës dhe përfaqësuesve të Partisë Komuniste të Kinës”.
Linda Sun dhe bashkëshorti i saj Chris Hu, u arrestuan në shtëpinë e tyre në Long Island të martën, por nuk pranuan fajësinë për akuzat gjatë paraqitjes në një gjykatë federale në Bruklin.