Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të martën se mbajtja e raporteve normale me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat evropiane dhe procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, pas takimit të planifikuar të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Vladivostok të Rusisë.
“BE-ja ka qenë e qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, ka thënë për “Radio Evropa e Lirë” të martën, duke shtuar se “dëshiron të llogarisë në të gjitha vendet kandidate si partnerë të besueshëm evropianë për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët”.
Kabineti i Putinit ka njoftuar një ditë më herët se presidenti rus do të takohet me Vulinin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) më 4 shtator në kuadër të Forumit Ekonomik Lindor (EEF), i cili mbahet nga 3 deri më 6 shtator. Putini, gjithashtu, do të takohet në të njëjtën ditë edhe me kryeministrin e Malajzisë dhe zëvendëspresidentin e Kinës.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, shteti serb ka vazhduar t’i frustrojë kryeqytetet evropiane dhe veçanërisht SHBA-të, duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër presidentit rus dhe shtetit që udhëheq për shkak të agresionit të paprovokuar, përkundër se zyrtarisht mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe synon të anëtarësohet në BE.
Ndryshe, aleanca midis Serbisë dhe Rusisë është themeluar mbi një ndjenjë të thellë pakënaqësie ndaj NATO-s për mbështetjen dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Rusia dhe Kina janë dy fuqitë e vetme që përsërisin rregullisht gatishmërinë për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare dhe ulëse në Kombet e Bashkuara (OKB)./Albanianpost/