Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, më 4 shtator, në Vladivostok të Rusisë, ndërsa njohësit e çështjeve politike në rajon kanë konsideruar se kjo vizitë është kundër aspiratave të Serbisë për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe forcuar partneritetin me bashkësinë perëndimore.
Vulini dhe Putini do të takohen në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF), në bazë të raportimeve, i cili do të mbahet nga 3 deri më 6 shtator. Vulin – ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) – është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë, në dritën e agresionit në Ukrainë.
Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e vëmendshme e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, dhe kritike e ashpër e Serbisë dhe Rusisë, ka shkruar në “X” të martën: “Më 4 shtator do të takohen Putini dhe Vulini, ndërsa disa njerëz naivë në Perëndim janë duke festuar ‘këputjen’ e lidhjeve të Serbisë me Rusinë”.
Aleanca midis Serbisë dhe Rusisë është themeluar mbi një ndjenjë të thellë pakënaqësie ndaj NATO-s për mbështetjen dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Rusia dhe Kina janë dy fuqitë e vetme botërore që përsërisin rregullisht gatishmërinë për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare dhe ulëse në Kombet e Bashkuara (OKB).