Shkruan: Afrim Kasolli
Pas përfundimit të zgjedhjeve në shtetin e të Turingias dhe të Saksonisë në Gjermaninë lindore si dhe fitores së partisë së ekstremit të djathtë Alternativës për Gjermani (AfD) në shtetin e parë si dhe suksesit të jashtëzakonshëm në të dytin ku ndonëse doli e dyta, por me një dallim minimal me CDU-në, prej 1.3%, kancelari Olaf Sholz, u ka bërë thirrje partive tradicionale që ta përjashtojnë më çdo kusht bashkëpunimin dhe koalicionin me këtë parti të ekstremit të djathë. Sipas shefit të Qeverisë Gjermane, kjo parti, është duke e “dëmtuar Gjermaninë duke shkatërruar ekonominë, përçarë shoqërinë dhe përulur reputacionin e shtetit në botë”.
Kjo thirrje e kancelarit gjerman, megjithatë prek njërën nga dilemat kryesore me të cilën sot po ballafaqohen demokracitë në shumë vende të botës, se si duhet të menaxhohet suksesi i partive populiste ekstreme të të dy krahëve politikë, e të cilat gëzojnë mbështetje elektorale. Pra a duhet të mbrohet demokracia nga votat popullore?
Sidoqoftë, historikisht nuk është që nuk kanë ndodhur raste te ngjashme. Steven Levitsky dhe Daniel Zibllat, në librin, “How Democracies Die – What History Tells Us About Our Future”, kanë treguar se në mes të dy luftërave botore, jo vetëm Italia dhe Gjermania ishin pre ideve fashiste. Vala e tyre kishte depërtuar anekënd Evropës. Belgjika, Britania, Finlanda, ishin përballur me rreziqe të njëjta. Mirëpo, këto vende kishin arritur t’i tejkalonin këto gracka, duke e mbajtur larg pushtetit këtë kategori të politikanëve. Është i njohur rasti i Belgjikës kur në kohën e krizës së vitit 1936 tri partitë e qendrës, ajo Socialiste, Liberale dhe Katolike, i kishin bashkuar forcat për tu konfrontuar me rrymat e ekstremit të djathtë, duke e frenuar mundësinë e tyre për ta përvetësuar pushtetin.
Ndërkohë, në rastin e Gjermanisë së sotme, duhet kujtuar se edhe një parti tjetër ishte sensacion në këto zgjedhje, ajo e krahut të ekstremit të majtë, Aleanca Sahra Wagenknecht” (BSW,) e cila para pak kohe u ndaj trungu u partisë tjetër të e ekstremit të majtë, Linke. Ky formacion përfundoi në vendin e tretë në të dyja shtetet.
Këto rezultate, ndonëse vetëm befasi nuk mund të ishin, po dëshmojnë se tashmë elektorati i ekonomisë më të fuqishme në Evropë është duke lëvizur ka ekstremet. Arsyet e këtyre zhvendosjeve tektonike mund të jenë të ndryshme. Analistë të ndryshëm kanë përmendur ankthin e qytetarëve gjermanë mbi ekonominë, luftën në Ukrainë si dhe imigracionin. Ky i fundit është perceptuar si faktorë që edhe po e rrezikon identitetin kulturor dhe etnik gjerman si dhe vendet e punës. Një agravim ky i frikës si për të ardhmen e kombit ashtu edhe të mirëqenies ekonomike. Madje, ndonëse të ndryshme në shumëçka, si partia parë ashtu edhe e dyta, megjithatë ato i bashkon politika e anti-imigracionit dhe solidariteti dhe qëndrimi miqësor ndaj Kremlinit, atakimi i SHBA-ve dhe NATO-së si përgjegjëse për luftën në Ukrainë si dhe thirrja për të ndalur ndihmat ushtarake për luftën mbrojtëse të këtij shteti nga agresion rus. Kurse , eksploatimi i këtij zemërimi u bë edhe më pjellor, sepse pak ditë para këtyre zgjedhjeve, një i ri azil kërkues nga Siria në qytetin e Solingen-it, me një goditje brutale me thikë la tre persona të vdekur në një festival në këtë qytetet. E të gjitha hulumtimeve të opinionit publik tregojnë se sot për gjermanët imigrimi dominon njërin nga shqetësimet kryesore, duke u pasuar nga çmimet e energjisë, lufta dhe ekonomia. Prandaj, sipas shumë analistëve, partitë populsite nuk do të munden edhe po të mbahen larg pushtetit, nëse nuk adresohen temat që ato i kanë shfrytëzuar për përfitime politike. Përkundrazi, ato vetëm sa do të masivizohen edhe më shumë.
Mirëpo, çfarë pasoja do të kishte për këtë shoqëri, por jo vetëm për të, nëse atëherë partitë tradicionale në pushtet vendosin të plotësojnë kërkesat e tyre? Le të marrim shembullin e luftës në Ukrainë. Kjo do të thoshte braktisje e këtij shteti, dhe shpërblim për politikat imperiale të Putinit. Në këtë drejtim, jo pak i luhatur ka qenë edhe kancelari Olaf Sholz. Politika e tij inkoherente se “Ukraina nuk duhet të humb dhe Rusia nuk guxon të fitojë” nuk i ka ndihmuar që të ketë sukses të brendshëm. Përkundrazi, i ka forcuar oponentët e tij, suksesi i të cilave nuk paraqet asgjë tjetër, pos një “fitore të Putinit në Gjermani”.
Kështu, beteja ndaj partive populiste duhet të kalojë nga lufta pa ekuivoke edhe kundër kauzave që ato i proklamojnë, e jo vetëm nga improvizimet e partive tradicionale për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin. Prandaj, sot me shumë se kurrë, politikës evropiane i nevojitet agjenda e centrizmit radikal. /TV Arbëria