Ukraina ka filluar një seri të sulmeve me dronë kundër kryeqytetit të Rusisë, duke goditur disa termocentrale dhe rafineri të naftës. Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, tha se 158 dronë janë shkatërruar nga sistemi i mbrojtjes ajrore. Kjo ministri shkroi në Telegram se numri më i madh i dronëve – 122 gjithsej – u rrëzuan mbi rajonet e Kurskut, Brianskut, Voronezhit dhe Belgorodit, që gjenden në kufi me Ukrainën. Kjo breshëri sulmesh me dronë vjen disa ditë pasi infrastruktura e energjisë së Ukrainës u shënjestrua me mbi 200 dronë rusë dhe raketa, në një prej sulmeve më të mëdha të këtij lloji.
Kievi po i bën thirrje Uashingtonit që të heqë kufizimet në mënyrë që të përdorë armët që ka pranuar nga aleatët për të sulmuar thellë brenda territorit të Rusisë. Kievi argumenton se sulme të tilla do të pengonin aftësinë e Moskës që të kryejë sulme ndaj Ukrainës.