Para 115 viteve në qytetin e Elbasanit i hapi punimet Kongresi i Elbasanit. Punimet e tij u zhvilluan nga data 2 deri me 8 shtator të vitit 1909. Në këtë ngjarje morën pjesë 35 delegatë nga trojet e ndryshme shqiptare.
Ndër vendimet kapitale të këtij Kongresi mbetet padyshim ai për hapjen e shkollës së parë të mesme në gjuhën shqipe, apo si njihet ndryshe normalja e Elbasanit. Kjo shkollë i hapi dyert me 1 dhjetor të vitit 1909, me 140 nxënës nga trojet shqiptare.
Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare. Aty u vendos për sistemin e shkollave shqipe, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe për drejtshkrimin e gjuhës amtare. Si shembull u dha përdorimi i dialektit të Elbasanit, meqenëse përafronte më tepër me dialektet e tjera. Kongresi i Elbasanit hodhi bazat më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit kombëtar.
Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.
Gjithashtu u vendos të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke.
Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare e në mënyrë të veçantë luftës për përhapjen e shkollave dhe të shkrimit shqip./TVArbëria/