Prishtina dhe Llapi ishte kryendeshja e xhiros së katërt të edicionit të ri të Albi Mall Superligës së Kosovës në Futboll.
Në duelin përmbyllës të ditës së djeshme në Superligë, Prishtina regjistroi një fitore të madhe me përmbysje ndaj Llapit.
E krejt ky duel nuk shpëtoi qetë, ku në fund të ndeshjes u shfaqën tensione nga skuadra humbëse e këtij dueli, ajo e Llapit, shkruan Sinjali Sporti.
Sipas pamjeve të siguruara nga Sinjali, Tahir Batatina u pa tejet frustruar me gjykimin e sfidës, madje edhe i ishte vërsulur gjyqtarit kryesor, Genc Nuzës, pasi ky i fundit e ndëshkoi me karton të kuq në fund të ndeshjes.
Prishtina e fitoi duelin 3-2, duke e kthyer rezultatin pasi dy herë ishte në disavantazh.
Ndërkohë, pas ndeshjes mbrëmë, Llapi ka dalë me një komunikatë, ku ka hedhur akuza të rënda ndaj gjyqtarit Genc Nuza.
“Një gjykim i ndeshjes si ky nga Genc Nuza tregon se kampionati nuk do të shkojë mbarë pa pasoja, ku më pas do të jetë vonë, sepse djersa e kryesisë, sponsorëve, shtabit teknik dhe e lojtarëve do të humbet qëllimisht nga akterët e ndeshjes”, thuhet në njoftim.
Tutje në komunikatë thuhet se Llapi kërkon që Genc Nuza më të mos caktohet për gjykim në ndeshjet e klubit të tyre, pasi që ndaj të njëjtit nuk do të siguronin siguri, teksa kanë kërkuar largimin “përjetë” të tij nga futbolli.
“Nëse Federata nuk merr masa, ne si klub nuk do të sigurojmë siguri për Genc Nuzën nëse vjen në Podujevë, sepse sot ishte aktori i lojës së futbollit. Mundimi dhe djersa shumëvjeçare dhe kontributi në futboll nuk duhet të humben nga një gjyqtar. Nëse Gramos Shala u largua nga referimi për një gabim në një ndeshje, Genc Nuza duhet të largohet përjetë nga futbolli”.
Njoftimi i plotë: