Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Njoftime për sulme të ndërsjella Ukrainë-Rusi

Njoftime për sulme të ndërsjella Ukrainë-Rusi

Forcat ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan 24 nga 52 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës, në 8 rajone në të gjithë Ukrainën, njoftuan autoritetet e Kievit.

Sipas një deklarate ukrainase, 25 dronë të tipit Shahed kishin rënë vetë dhe tre të tjerë ishin drejtuar për në Rusi dhe Bjellorusi. Nuk ka njoftime për të plagosur si pasojë e sulmeve.

Ndërkohë, 5 persona u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën nga sulmet ukrainase në qytetin jugperëndimor rus të Belgorodit, të premten, njoftoi guvernatori rajonal. Ai tha se mes të plagosurve ishin 7 fëmijë. Në një video të regjistruar nga brenda një makine, e postuar në mediat sociale në të cilën pretendohet se tregohen momentet e sulmit, duket një makinë që shpërthen në lëvizje e sipër. Një shpërthim tjetër shihet disa metra më tutje. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pamjet filmike.

Ministria e Jashtme e Rusisë e dënoi sulmin ndërsa Komisioni Hetimor rus njoftoi në rrjetin Telegram se ka nisur një hetim mbi rastin.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, autoritetet ruse njoftuan se një helikopter me 22 persona në bord rezulton i humbur në gadishullin Kamçatka, në lindje të vendit.

Ministria e Emergjencave tha se mjegulla e dendur po pengonte operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Kamçatka, që është 9 orë para Moskës, njihet si zonë turistike./VOA

Powered by WordPress