Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Berisha: Qëndrimet e Burns kanë ndikuar që çështja e Urës së Ibrit të mos trajtohet në këtë moment!

Berisha: Qëndrimet e Burns kanë ndikuar që çështja e Urës së Ibrit të mos trajtohet në këtë moment!

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha, u deklarua rreth çështje së hapjes së Urës së Ibrit.

Ai tha vizita e drejtorit të CIA-së William Burns, ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimeve dhe veprimeve të liderëve politikë të Kosovës.

Berisha tha se qasja e Kryeministrit Kurti ndaj çështjeve të tilla është shpesh populiste dhe synon të mobilizojë mbështetjen e brendshme.

“Çështja e Urës së Ibrit është bërë një temë e ndërlikuar politike që prek jo vetëm interesat e brendshme të Kosovës, por edhe raportet me partnerët ndërkombëtarë. Duket qartë se ekziston një presion i dukshëm nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht nga SHBA dhe BE, për të mos ndërmarrë veprime që mund të nxisin tensione të reja. Vizita e drejtorit të CIA-s, William Burns, në Ballkan, përfshirë Kosovën, ka ndikuar dukshëm në ndryshimin e qëndrimeve të liderëve politikë, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Beograd dhe Bosnje.

Kjo ndoshta shpjegon edhe pse Qeveria Kurti ka qenë e rezervuar për këtë çështje, edhe pse ka pasur marrëveshje të mëparshme për hapjen e Urës”, deklaroi ai.

“Burns, me peshën e tij si një nga diplomatët më me përvojë në administratën amerikane, ka bërë të qartë se paqja dhe stabiliteti në rajon janë prioritetet kryesore të SHBA-së. Qëndrimet e tij, përfshirë nxitjen ndaj liderëve që të tregojnë përmbajtje, me siguri kanë ndikuar që çështja e Urës së Ibrit të mos trajtohet në këtë moment, pavarësisht marrëveshjeve ekzistuese për implementim. Nga ana tjetër, është e vërtetë se qasja e Kryeministrit Kurti ndaj çështjeve të tilla është shpesh populiste dhe synon të mobilizojë mbështetjen e brendshme përmes retorikës patriotike, madje edhe kur kjo mund të shihet si antagonizëm ndaj ndërkombëtarëve, përfshirë SHBA-në”, tha Berisha.

Deputeti i PDK-së potencoi se qëndrimi i Kurtit rrezikon marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Ky qëndrim i Kurtit, edhe pse mund të sigurojë mbështetje të brendshme afatshkurtër, rrezikon të minojë marrëdhëniet me aleatët kyç ndërkombëtarë dhe të dobësojë pozicionin e Kosovës në negociatat e ardhshme. Qëndrimi i Kurtit, nëse vazhdon të jetë populist dhe i paqëndrueshëm, mund të çojë në një situatë ku NATO dhe trupat ndërkombëtare të vendosen në urë për të parandaluar përshkallëzimin e ndonjë konflikti, duke krijuar kështu një kufi de facto brenda Kosovës. Komentet e bëra nga liderët ndërkombëtarë, përfshirë Scholz dhe Macron, si dhe qëndrimet e SHBA-së dhe NATO-s, janë një shenjë e qartë se durimi i partnerëve ndërkombëtarë po mbaron”, tha ai.

Po ashtu tutje ai quajti deklaratën e Macronit si tejet alarmuese, dhe siç thotë ai ngre pyetje serioze rreth ruajtjes së sovranitetit.

“Deklarata e Macron-it për ruajtjen e sovranitetit të Serbisë është tejet alarmuese dhe ngre pyetje serioze rreth asaj se në cilët kufij duhet ta ruaj sovranitetin politik Serbia, ata kushtetues të Serbisë. Me Kosovën pjesë të sajë. Dhe pa një detyrim as ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe as ta ndryshoj kushtetutën e sajë për 10 vite, sipas marrëveshjes së Brukselit aliad Planit Franko – Gjerman. Kjo mund të nënkuptojë një prirje për të mbajtur gjendjen e status quo-së dhe për të mos pranuar ndryshime, që mund të destabilizojnë rajonin më tej”, theksoi ai.

Berisha tha se duhet kërkuar angazhim më i madh politik nga Qeveria aktuale, për të siguruar hapjen e Urës së Ibrit me mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare.

“Si spektër politik, duhet të luajmë një rol konstruktiv, duke mos e përdorur këtë çështje për përfitime politike afatshkurtra, por duke nxitur një qasje të bashkërenduar dhe strategjike që mbron interesat e Kosovës. Ne duhet të kërkojmë një angazhim më të madh diplomatik dhe politik nga Qeveria Kurti për të siguruar që hapja e Urës së Ibrit të bëhet me mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, duke garantuar kështu paqen dhe stabilitetin në veri të vendit”, tha Berisha në një intervistë për “Gazeta Blic”.