Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë shprehur të shqetësuara për aksionin e sotëm të policisë në veri ku u mbyllën pesë komuna paralele pasi thuhet se ky veprim “nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë”.
Ky aksion nga ambasada amerikane në Kosovë po konsiderohet si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, thuhet në njoftim.