Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim

Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim

 

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar.

“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.

I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt.

“Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë. Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët.

Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim”, ka deklaruar Lajçak.Tutje, ai ka potencuar se udhëheqësit e dy shteteve, nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit”, ka thënë tutje Lajçak.

I pyetur se a janë duke punuar për një takim të ri të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lajçak bëri të ditur se veçse janë duke e përgatitur takimin e radhës, teksa ka theksuar që gatishmëria e tyre është gjithmonë në nivel.

“Aktualisht, jemi duke përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh. Dhe, ne jemi gjithmonë të gatshëm për këtë. Duhet të ketë agjendë, duhet të ketë gatishmëri. Tani për tani, hapi i radhës është takimi i kryenegociatorëve”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, i pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, Lajçak vlerësoi që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në rolin tim aktual, mundem vetëm të përdor gjuhën zyrtare të Bashkimit Evropian, që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak.

E një gjë e tillë sipas Lajçak, do t’i hapte rrugë të ardhmes evropiane./REL

Themes by WordPress