Ndihmës sekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus, ka zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti. Temë diskutimi në këto takime ka qenë edhe çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër. Bashkësia ndërkombëtare po kërkon koordinim nga Qeveria për veprimet e saj në veri.
Ndërsa, presidentja ka thënë se hapja e urës duhet të bëhët përmes një plani në koordinim mes institucioneve të Kosovës me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në. Ndërkohë, në partitë opozitare thonë se vizitat e shpeshta të zyrtarëve të lartë të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s dëshmon se bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar me veprimet e njëanshme të Qeverisë.
Institucionet e qendrore të Kosovës këto ditë janë bërë cak ivizitave të shumta të zyrtarëve të lartë të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s. Vizirta më e re erdhi këtë të enjte nga Ndihmës-sekretari i përgjithshëm për operacione të NATO-s, Tomas Gofus, i cili takimet i nisi me presidenten, Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit nga Presidenca, zonja Osmani më këtë rast ka shprehur përkushtimin e shtetit për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë. Në këtë takim po ashtu është diskutuar edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit. Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës.
Më pas, ndihmës-sekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s Gofu zhvilloi takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin Kurti një ditë më para tha se me zyrtarin e lartë të NATO-s do të diskutojnë edhe për hapjen e urës së Ibrit. Ai potencoi se për hapjen e urës Qeveria është duke kryer punët e saj të shtëpisë.
Vizitat e shpeshta të zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe të diplomatë të shumtë ditëve të fundit në Presidencë dhe Qeveri, për partitë opozitare dëshmojnë se bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar nga veprimet e njëanshme të kryeministrit Kurti.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga LDK, Rrezarta Krasniqi, thotë se Qeveria duhet të koordinohet me aleatët.
“Deri më tash kryeministri nuk është koordinuar me ndërkombëtarët për urën e Ibrit prandaj ka vizita të shpeshta. Ju e dini se ende jemi nënë sanksione nga BE-ja dhe askush nuk merret më këtë temë dhe merren me tema të tjera për arsye se është caktuar data e zgjedhjeve dhe të gjitha këto veprime të Qeverisë po bëhet për zgjedhje”, tha ajo.
Javën e kaluar për vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë ishte shefi i CIA-s, William Burns. Këto vizita të zyrtarëve të lartë Amerikan dhe të BE-së janë shpeshtuar për shkak të paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit. /rtv21