Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka përkujtuar ish nënkryetarin e LDK’së dhe ish kryetarin e Kuvendit, Kolë Berisha, në trevjetorin e vdekjes.
Ai ka thënë se Berisha ishte patriot i orëve të vështira, politikan i madh dhe luftëtar i palodhur që punoi me përkushtim për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
“Kolë Berisha ishte patriot i orëve të vështira, një politikan i madh dhe një luftëtar i palodhur që punoi me përkushtim për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.”
Abdixhiku shtoi se Berisha ishte shtyllë e fortë e institucioneve dhe zë i fuqishëm për aspiratat e popullit të Kosovës.
I pari i LDK’së tha se bashkëpunimi i Berishës me presidentin Rugova mbetet dëshmi e përkushtimit të tij për idealet më të larta kombëtare.
“Si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kolë Berisha ishte një shtyllë e fortë e institucioneve dhe një zë i fuqishëm për aspiratat e popullit tonë. Bashkëpunimi i tij i ngushtë me themeluesin e shtetit tonë, presidentin historik Ibrahim Rugova, mbetet dëshmi e përkushtimit të tij për idealet më të larta kombëtare. Në këtë ditë, rikthejmë në mendje vlerat që ai përfaqësonte dhe që na frymëzojnë ende sot. Kosova është më e fortë falë njerëzve si Kolë Berisha, të cilët me guxim dhe vendosmëri i dhanë formë ëndrrës sonë për liri dhe shtetësi. I përhershëm kujtimi për veprimtarin, Kolë Berisha!”