Një situatë me dinamikë interesante ka vijuar në partinë në pushtet.
Klan Kosova mëson ekskluzivisht se deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci ka shprehur dëshirë dhe gatishmëri t’i hyjë garës për Kryetar të Prishtinës.
Megjithatë ai përballet me pengesën e vetme aktuale e cila është dega e Vetëvendosjes në Prishtinë, meqenëse kjo degë përmes votimeve të saja e përcakton kandidatin për Kryetar të Prishtinës.
Siç merr vesh ekskluzivisht nëse Këshilli i Përgjithshëm i kësaj dege e miraton kandidaturën e tij, Bajqinovci do të ketë mundësinë të sfidojë rivalët e tij dhe të prezantojë vizionin e tij për kryeqytetin. Mirëpo, aktualisht Bajqinovci nuk e ka të sigurt nëse Këshilli i Përgjithshëm i qendrës së Prishtinës do ta votojë dhe miratojë kandidaturën e tij.
Duke qenë se Prishtina është një nga komunat më me ndikim, Bajqinovci, me përvojën e tij si deputet, beson se mund të sjellë ndryshime pozitive dhe zhvillim në kryeqytet.
Kohët e fundit Bajqinovci ka intensifikuar kritikat e tij ndaj keq-qeverisjes së Përparim Ramës duke bërë publikime të ndryshme rreth shumë gjërave që nuk funksionojnë në kryeqytet.