Ukraina bën me dije se për herë të parë ka ngritur në fluturim avionët luftarak F-16 që ka marrë si ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas presidentit ukrainas, Zelensky përdorimi i këtyre avionëve arriti të shmangë që sulmi i fundit i rusëve të kishte përmasa më të mëdha.
“F16-tat patën një rezultat shumë të mirë. Ata arritën të rrëzonin disa raketa dhe dronë dhe për këtë arsye falënderojmë partnerët që na i mundësuan dhe që stërvitën pilotët tanë, por natyrisht që nuk mjaftojnë”, deklaroi Zelensky.
Më tej, presidenti Zelensky deklaroi se do t’iu prezantojë kandidatëve për president në Shtetet e Bashkuara, Kamala Harris dhe Donald Trump një plan se si mund të përfundojë lufta me Rusinë.
“Plani parashikon masa në frontin diplomatik dhe ekonomik, si dhe inkursionin e Ukrainës në Kursk që është po ashtu një strategji për të detyruar Moskën për të rinisur bisedimet për paqe”, tha Zelensky, raporton a2cnn.