Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A i varrosi iluzionet e opozitës vizita e Drejtorit të CIA-së, William Burns, në Kosovë?

A i varrosi iluzionet e opozitës vizita e Drejtorit të CIA-së, William Burns, në Kosovë?

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga takimi i Shefit të Agjencisë Informative Amerikane William Burns, me kryeministrin Kurti, nuk kanë munguar spekulimet e opozitës mbi ndikimin që do të mund ta ushtrojë ky takim mbi sjelljen e Qeverisë së Kosovës, dhe atë veçanërisht lidhur me planet e saj e mbi hapjen urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve.

Është thënë, se pas kësaj vizite, tashmë kjo temë do të mbulohet nga pluhuri i harresës dhe do të heshtet në opinion. Fillimisht e morën rolin e shefit e protokollit të drejtorit CIA-s, duket treguar se më kë do të takohet e më kë jo. Shpresonin se do ta refuzonte takimin me kryeministrin Kurti dhe në këtë mënyrë do të vulosej fati ndërkombëtar i këtij të fundit. Spekulimet gëluan me të madhe, sidomos pas takimit me presidenten Osmani dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.

Sidoqoftë, shpresa të tilla, tregojnë se sa i pandryshuar ka mbetuar iluzioni opozitar. Kjo e fundit vazhdon të jetë peng i të njëjtit gabim edhe sa ishte në pushtet. Atëbotë edhe pse të gjitha hulumtimet e opinionit publik dëshmonin se autoriteti publik i pushtetit po gërryhej dita ditës, përsëri të njëjtit besonin se do të ishte e domosdoshme dhe e dobishme për bashkësinë ndërkombëtare të kishte punë vetëm me ta, për shkak të qëndrimit refuzues të Albin Kurtit ndaj dialogut. Se nuk ka rendësi vullneti demokratik, sepse në fund SHBA-të dhe BE-ja, do të bënin diçka për t’i mbajtur në pushtet pasi ishte interes i tyre strategjik. Pra në këtë mënyrë sistemi u takonte atyre, kurse shoqëria Vetëvendosjes. Kjo ndarje solli edhe një konflikt të çuditshëm politik ndërmjet shtetit dhe shoqërisë.

Dhe nuk është e rastësishme që ai subjekt politik që kishte mbajtur ndër vite një qëndrim ambivalent ndaj shtetit të Kosovës, u bë forca përfaqësuese e vullnetit politik të shoqërisë.

Ndërkohë, të parat në këtë mënyrë vetëm sa e ofendonin vetën dhe misionin e SHBA-së. Sepse ata ende e konceptonin atë në termat e Luftës së Ftohtë, kur Uashingtoni ishte i detyruar shpeshherë të intervenonte në vendet e Amerikës Latine, në aleancë me elitat ushtarake, politike dhe ekonomike të atyre shteteve për t’u mbrojtur nga rreziku i Bashkimit Sovjetik. Por harronin se kjo kohë ka perënduar. Dhe se ajo që më së shumti Amerika angazhohet sot është si ta ruajë imazhin e saj, se nuk konspiron kundër vullnetit demokratik të asnjë shoqërie, pavarësisht sfidave qe mund të ketë. Pa këtë ndryshim paradigmatik as “Pranvera Arabe” nuk do të ishte e mundur.

Pavarësisht faktit se ajo nuk i plotësoi shpresat për ndryshim shoqëror dhe dihet nga të gjithë ne se si degjeneroi.

Kështu, ngjashëm edhe sot, opozita shpreson se vetëm një konflikt i Kurtit më ndërkombëtarët në procesin e dialogut, mund t’i ndihmojë asaj të rikthehet në pushtet. Kjo edhe është arsyeja se pse kjo fundit, prej se ky proces drejtohet nga Kurti është konfuze, dhe asnjëherë nuk e ka pasur të qartë se si duhet të veprojë. Sepse, shpreson se kjo është e vetmja trampolinë nga e cila mund të ngjitet në majat e Olimipit politik. Mirëpo, në këtë mënyrë, ajo vetëm sa po e detyron SHBA-në dhe vendet tjera aleate të mos kenë partner tjetër në Kosovë, pos Albin Kurtit.

Takimi i shefit të CIA-së, me këtë të fundit vetëm sa e konfirmoi këtë fakt dhe si i tillë i varrosi iluzionet e opozitës, pikërisht aty ku shpresonte se do të përfitonte më së shumti. E nëse shefi i Qeverisë i plotëson kërkesat njeriut me të fuqishëm në planet sa i përket informatave, atëherë po ashtu do ta plotësonte edhe kërkesën e vetme opozitare për të vepruar koordinim me partnerët ndërkombëtarë./Arbëria TV/

Powered by WordPress