Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Përmbytje katastrofike në Bangladesh, autoritetet vendase fajësojnë Indinë

Përmbytje katastrofike në Bangladesh, autoritetet vendase fajësojnë Indinë

 

Qyteti i Fenit në juglindje të Bangladeshit, është shndërruar në epiqendrën e një prej përmbytjeve më të këqija të vendit. Që nga java e kaluar, uji ka përmbytur 11 rrethe dhe zona të mëdha të qytetit me afro 1.5 milionë banorë. Vendi preket shpesh nga përmbytjet dhe ciklonet, veçanërisht vitet e fundit, pasi fenomenet janë shtuar për shkak të ndryshimeve klimatike. Por kjo përmbytje erdhi papritur dhe njerëzit po fajësojnë zyrtarët në Indi.

CNN raportoi se familje të tëra janë shpëtuar nga ushtria, por situata po bëhet e rrezikshme pasi mungojnë varkat që mund të transportojnë njerëzit në zona të sigurta. Një numër i madh njerëzish janë dërguar në spitalin e qytetit, por dhe aty niveli i ujit është rritur ndjeshëm duke vënë në rrezik gjendjen e pacientëve.

Qyteti ndodhet në kufi me Indinë dhe autoritetet në Bangladesh hedhin akuza se e gjithë situata katastrofike është shkaktuar nga India. Ka raportime se dyert e njërës prej digave përtej kufirit u hapën të mërkurën dhe kjo krijoi këtë valë të madhe uji që tani është përhapur në 11 rrethe, duke prekur më shumë se katër milionë njerëz. India nga ana tjetër sqaroi se kur nivelet e ujit arrijnë një lartësi të caktuar, dyert hapen automatikisht.

Bangladeshi ka një nga sistemet më të mira të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet në Azinë Jugore, por në këtë rast nuk kishte asnjë paralajmërim. Me mijëra shtëpi janë përmbytur dhe banorët po përpiqen të marrin me vete gjithçka që mund të shpëtojnë, por situata sa vjen e bëhet më e vështirë.

Powered by WordPress