Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Hezbollahu flet për sulmin ndaj Izraelit, Netanyahu thotë se përgjigja me sulme ajrore “s’është fundi”

Hezbollahu flet për sulmin ndaj Izraelit, Netanyahu thotë se përgjigja me sulme ajrore “s’është fundi”

Një zyrtar i Hezbollahut tha se sulmi me raketa dhe dronë kundër Izraelit të dielën si hakmarrje për vrasjen e një komandanti të lartë muajin e kaluar ishte vonuar nga “konsiderata politike”, raporton Reuters. Zyrtari tha se grupi ka “punuar” për t’u siguruar që përgjigja e tij ndaj vrasjes së Fuad Shukr më 30 korrik nuk do ta shkaktonte një luftë në shkallë të gjerë.

“Konsiderata politike” kryesore ishin bisedimet në vazhdim për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve për Rripin e Gazës. Negociatorët diskutuan propozime të reja kompromisi në Kajro të shtunën, duke kërkuar t’i kapërcejnë boshllëqet midis Izraelit dhe Hamasit, por nuk pati asnjë tregues për përparim pas disa orësh bisedimesh. Nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë përparimi në pikat kyçe të pengesave, duke përfshirë këmbënguljen e Izraelit që duhet ta mbajë kontrollin e të ashtuquajturit Korridori Filadelfi, në kufirin midis Gazës dhe Egjiptit, shkruan The Guardian.

Bisedimet vazhdojnë këtë javë dhe zyrtarët amerikanë ende besojnë se një marrëveshje është e arritshme, pavarësisht rritjes së tensioneve midis Izraelit dhe Libanit.

Benjamin Netanyahu ndërkaq tha se sulmet e Izraelit kundër grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban “nuk është fundi i historisë”.

Kryeministri i Izraelit tha se mbrojtja ajrore i ka kapur të gjitha raketat dhe dronët e lëshuar kundër vendit, raporton Reuters.

Ai tha gjithashtu se udhëheqësit e Hezbollahut dhe Iranit duhet ta dinë se përgjigja është “një hap tjetër drejt ndryshimit të situatës në veri dhe kthimit të sigurt të banorëve tanë në shtëpitë e tyre”.

Powered by WordPress