Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, do të udhëtojë drejt Kinës javën e kaluar për bisedime me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi, sipas disa personave në dijeni të çështjes.
Bisedimet pritet të përfshijnë mundësinë e mbajtjes këtë vit të një takimi mes Presidentit Biden dhe atij kinez Xi Jinping.
Ky do të jetë udhëtimi i parë në Kinë për zotin Sullivan, në detyrën e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Takimet janë planifikuar në kuadrin e një serie shkëmbimesh diplomatike të nivelit të lartë, që synojnë stabilizimin e marrëdhënies SHBA-Kinë.
Bisedimet, që përshkruhen si të natyrës së gjerë dhe strategjike, do të bëhen pasi Kina pezulloi diskutimet me Shtetet e Bashkuara për çështjet bërthamore dhe sigurinë. Kina njoftoi në korrik se ka ndalur bisedimet që pati filluar me Uashingtonin për kontrollin e armëve.
“Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të thellonin diskutimet për stabilitetin strategjik, por kinezët ngurojnë. Ata do të preferonin të diskutonin rreth arritjes së një marrëveshjeje për përdorimin e armëve bërthamore vetëm në rrethanat e kundërpërgjigjes ndaj një sulmi bërthamor. Por, Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme për një doktrinë të tillë”, i tha Zërit të Amerikës ish-analisti i CIA-s Dennis Wilder, tashmë profesor në Universitetin Georgetown.
“Si rezultat, ka patur një lloj ngërçi, me pak progres të bërë në takimet e pakta të grupeve të punës që janë bërë”, tha ai./VOA