Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur sot në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se ky takim ndodhi në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
Në njoftim thuhet se në këtë takim, palët u dakorduan për mbajtjen e një tryeze senzibilizuese për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, e cila përkujtohet çdo vit më 30 gusht.
Këshillit Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës gjithashtu e njoftoi Bislimin për sfidat me të cilat po përballen.
“Zëvendëskryeministri Bislimi i njoftoi shoqatat dhe për adresimin me prioritet në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, mbi angazhimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe iu ofroi mbështetjen e vazhdueshme për sensibilizim dhe avokim në lidhje me këtë çështje”.
“Këshilli e falënderoi zëvendëskryeministrin për mbështetjen, e në veçanti për vizitën e realizuar në Srebrenicë me rastin e shënimit të përvjetorit të gjenocidit serb atje më 11 korrik, si dhe e njoftuan atë për sfidat me të cilat po përballen dhe angazhimin e shoqatave në këtë proces”, thuhet tutje në njoftim.