Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > SHBA, vazhdojnë protestat pranë Kuvendit të Demokratëve

SHBA, vazhdojnë protestat pranë Kuvendit të Demokratëve

Protestuesit pro-palestinezë vazhduan demonstratat pranë Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, të mërkurën. Ata i bëjnë thirrje kandidatëve demokratë për Shtëpinë e Bardhë Kamala Harris dhe Tim Walz që t’i japin fund ndihmave për Izraelin. Ata gjithashtu kërkuan angazhim të shtuar për të arritur një armëpushim në Gazë. Tubimi dhe marshimi i të mërkurës ishte kryesisht paqësor. Pjesë e këtyre demonstratave janë edhe një grup i vogël i delegatëve të partisë që kanë thënë se nuk do të votojnë kandidaten e partisë për president, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Demonstratat pro palestineze në Çikago organizohen nga Koalicioni për Drejtësi në Palestinë, një bashkim i grupeve aktiviste palestineze dhe arabe.

Tarek Khalil anëtar i bordit të Myslimanëve Amerikanë për Palestinën, tha se dallimi që ekziston tani në mes të kandidatëve për President, Nënpresidentes Kamala Harris dhe rivalit të saj republikan Donald Trump, nuk mjafton.

“Partia Demokratike është në pushtet tani dhe ajo është partia që po mundëson dhe financon krimin që po ndodhë në Gazë. Mesazhi ynë për Partinë Demokratike është se nuk mund ta bëni këtë në emrin tonë, me taksat tona dhe me armët që prodhohen në Shtetet e Bashkuara. Një embargo armësh duhet të vendoset ndaj regjimit izraelit”, tha zoti Khalil.

Në rajonin e Çikagos jeton një nga komunitetet më të mëdha palestineze në Shtetet e Bashkuara. Organizatorët thonë se ata protestojnë kundër luftës në Gazë.

“Demokratët mendojnë se mund të vijnë në rrugët tona dhe të mbajnë fjalimet e tyre, por ata nuk përfaqësojnë qytetarët e tyre. Populli amerikan bën thirrje për armëpushim, ndalimin e ndihmave për Izraelin pasi ato na përfshijnë në krimet që po kryhen”, thotë Amira Daoud, protestuese që punon si mësuese në Çikago.

Në Çikago protestojnë edhe disa delegatë të Partisë Demokrate që gjatë zgjedhjeve të brendshme partiake nuk kanë votuar për asnjë kandidat. Ata kanë refuzuar të votojnë edhe për kandidatën e re të demokratëve për President, Kamala Harris. Lëvizja, që tani njihet si grupi i delegatëve “të pavendosur” e kanë bojkotuar Kuvendin dhe janë zotuar për të mos votuar për zonjën Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit. Njëri prej tyre, Newman Abuissa tha se ai do të ndryshonte qëndrim për një arsye.

“Më vjen mirë që kandidatja jonë, Kamala Harris, bojkotoi fjalimin që e mbajti Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në Kongres. Më vjen mirë që ajo mbajti një konferencë për shtypin dhe foli për vuajtjet e palestinezëve. Këto janë hapa të mëdhenj. Por në javët e ardhshme, ne kemi nevojë për një armëpushim për të ndaluar vrasjen e fëmijëve dhe kjo do të siguronte votën time”, tha zoti Abuissa.

Një tjetër kërkesë për partinë nga ky grup ishte që një palestinez të mbante fjalim gjatë kuvendit të partisë. Kjo kërkesë që kishte mbështetjen edhe të ligjvënëses demokrate Alexandra Ocasio Cortez, nuk u pranua nga ekipi i Nënpresidentes Kamala Harris.

Tubimi dhe marshimi i të mërkurës ishte kryesisht paqësor. Një ditë më parë, gjatë demonstratave pati disa arrestime afër konsullatës izraelite, pas përleshjeve me policinë./VOA/

Powered by WordPress