Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si po e shpërblen Perëndimi presidenten Osmani pas tensioneve me Albin Kurtin?

Si po e shpërblen Perëndimi presidenten Osmani pas tensioneve me Albin Kurtin?

Shkruan: Afrim Kasolli

Që kur kanë filluar të shpërfaqen tensionet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe shteteve perëndimore, është vërejtur hapur një mbështetje e diplomacisë ndërkombëtare për presidenten Osmani në raport me kryeministrin Kurti. Ky i fundit vazhdimisht është izoluar, përjashto ndonjë vizitë në Turqi, apo ajo e fundit në Maqedoninë e Veriut, dhe duke u margjinalizuar në të njëjtin nivel të përfaqësimit shtetëror së bashku me Alush Gashin e harruar politikisht dhe Bernard Nikajn e zhveshur nga ndonjë relevancë politike. Kurse të parës kohët e fundit i janë hapur gjithnjë e më tepër dyert nëpër disa forume ndërkombëtare për t’u takuar më liderë të shumtë perëndimorë.

Ky investim ndërkombëtar për ta ndarë këtë tandem politik në mënyrë të spiktuar u dallua me rastin e vizitës së ish të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili në një takim me Osmanin i kishte thënë se “Ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dhe trashëgimisë së marrëdhënieve dypalëshe, ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, ndaj ju falënderoj për këtë”. Raporte specifike me presidenten Osmani kishte mbajtur edhe me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brienn në kohën kur ky i fundit kishte bërë paralajmërime të ashpra për Qeverinë e Kosovës se po e lëndon partneritetin me SHBA-të.

Janë të panumërta këto tendenca për ta portretizuar presidenten Osmani si të preferuan e Perëndimit në situatën që po kalon Kosova. Shembull tipik i kësaj qasje mund të merret edhe nderimi që asaj do t’i bëhet nga platforma gjermane me bazë në Potsdam “M100 Sanssouci Colloquium”, së bashku me kryeministrin e Polonisë Donald Tusk. Ky i fundit është i njohur për rolin e tij kundër partisë populiste “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) të cilën e dhe dërgoi në opozitë. Ky fakt tregon se tashmë edhe Gjermania, dikur një mbështetëse e këtij çifti politik, nuk i konsideron më ata të njëllojtë.

Në arsyetimin zyrtar të kësaj platforme për këtë çmim thuhet se “Presidentja Osmani është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave, presidentja Osmani është e palëkundur në dërgimin e një sinjali të fortë pro-evropian se demokracia dhe liria duhet të mbrohen si arritje thelbësore”. Po ashtu, sipas organizatës në fjalë, ky çmim, pasqyron kontributin në ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe thellimin e demokracisë, si dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme në promovimin e mirëkuptimit dhe komunikimit europian.

Shumë kush mund të thotë se ky akt nuk është qëndrim i politikës së jashtme zyrtare gjermane, dhe se ai është veprim i një organizate të pavarur të shoqërisë civile. Mirëpo, vet fakti se fjalën kryesore në këtë ceremoni do ta ketë kancelari gjerman, Olaf Scholz, flet shumë për implikimet politike të këtij nderimi. Prandaj, siç ka thënë me një rast shkrimtari i njohur spanjoll, Miguel de Cervantes, se “çmimet shpeshherë edhe nuk duhet t’i meritojmë”. Sepse gjithmonë ato kanë një prapskenë tjetër. Në fund të fundit, a nuk ishin mediat gjermane që në vitin 2021 e glorifikonin rolin Osmanit dhe Kurtit me atë të imazhit mitik të Herkulit, që kanë për detyrë heroike ta nxjerrin Kosovën nga moçali i korrupsionit ku i kishin futur qeveritë e kaluara. Pra edhe këto shkrime reflektonin në fakt dispononim politik të shtetit gjerman.

Ndërkohë, ky portretizim i Vjosa Omsanit si përfaqësuese e duhur e popullit të Kosovës u kristalizua hapur edhe dje gjatë konferencës për shtyp të mbajtur se bashku me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas nënshkrimit që Kosova dhe Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për grantin, që ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh. Ky i fundit në prezencë të së parës së shtetit deklaroi se këtë asistencë duhet kuptuar si ndihmë për popullin e Kosovës dhe jo për këtë Qeveri, duke i kërkuar në fund falje presidentes për fjalët e përdorura në prezencë të saj kundër ekzekutivit.

Sidoqoftë, sa mund të ketë sukses ky investim mbetet të shihet. Por personalisht dyshoj shumë. Sepse e para e shtetit tashmë është vetëm një person me pozitë, por pa ndonjë pushtet real politik. Ajo është e braktisur edhe nga partia e saj, të cilën e themeloi për ta eksploatuar Albin Kurti. Prandaj, kur ta përfundon këtë mandat, mbase këto nderime ne mes luksit në lagjen elitare Marigona, do t’i kujtojë si një relikt të një pushteti që dikur e kishte fituar, pikërisht duke i ushqyer ato sentimente populiste, e jo pak herë duke i shpërfillur disa nga parimet për të cilat sot po nderohet, vetëm për shkak të armiqësisë publike me Albin Kurtin./ArbëriaTV/

Powered by WordPress