Analisti politik, Afrim Kasolli ka komentuar së fundmi rreth aktualitetit politik në vend, shkruan TV Arbëria.
Kasolli përmes shkrimit të tij, ka komentuar kritikat e vazhdueshme nga ndërkombëtarët drejtuar Qeverisë Kurti, rreth disa vendimeve, e njëra ndër këto vendime edhe hapja e Urës së Ibrit.
“Qeveria e Kosovës ndërmori disa aksione policore dhe ligjore për ta shtrirë autoritetin shtetëror në pjesën veriore. Mbyllja e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës, Bankës Popullore të Serbisë në veri të Kosovës, ndalimi i qarkullimit të dinarit serb si dhe konfiskimit të vilave të Milan Radoeqicit në afërsi të liqenit të Ujmanit, janë vetëm disa nga më te njohurat. Secili prej këtyre veprimeve u kritika nga shtetet e QUINT-it si një anshëm dhe që i kontribuon përshkallëzimit të tensioneve etnike në Kosovë. Një qëndrim të tillë bashkësia ndërkombëtare e ka përsëritur edhe lidhur me nismën e re të Qeverisë së Kosovës për ta ndërruar statusin e urës mbi lumin Ibër, që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore dhe jugore”, ka shkruuar Kasolli.
Tutje analisti flet edhe për raportet drejt stabilizimit me Serbinë.
“Sidoqoftë, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave veprime të tilla nuk është që nuk kanë pasur efekte në terren. Për këtë institut të njohur amerikan, Kosova është duke e fituar betejën e kontrollimit shumicës rebeluse serbe në veri, mirëpo paralelisht me këto fitore po zbehen gjasat për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Institucionet e Serbisë që kanë mbetur që nga koha e përfundimit të luftës në vitin 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, janë duke u çmontuar , ndonëse potenciali për eskalim të dhunës mbetet tejet i lartë. Por a është kjo metoda e vetme për ta fituar vullnetin politik të shumicës serbe, mbetet tejet e dyshimtë për të mos thënë e pamundur. Shto këtu faktin, se tashmë kurrë me pak nuk kanë qenë të përfaqësuar politikisht qytetarët serbë të asaj pjese, për shkak të dështimit të referendumit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në pjesën veriore”, ka shkruar Kasolli.
Kasolli krejt në fund thotë se dilema se a duhet të ketë Kosova një rrugë alternative për temën e shtjelluar, i ka ndarë Presidentën Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
“Ndërkohë, shtegdalja nga bllokada ndërkombëtare ku gjendet Kosova është bërë një imperativ strategjik. A duhet të kërkojë shteti ynë rrugë alternative për ta realizuar këtë agjendë? Kjo dileme e ka ndarë edhe një herë kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani.
I pari në një interviste për Zërin e Amerikës ka deklaruar se nuk mund te ketë plan B për këtë situatë. Sipas tij, Kosova e respekton marrëveshjet e dakordura në Bruksel dhe në Ohër, kurse zbatimi i tyre nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Kurse Presidentja Osmani deklaroi se nëse Serbia nuk është e gatshme t’i zbatojë obligimet e saj, Kosova duhet të diskutojë me aleatët ndërkombëtarë që nëse ajo i zbaton detyrimet e saj të ketë garancione të sigurisë nga partnerët dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Pra një lloj modeli që është ndjekur në të kaluarën me planin e Ahtisarit, gjatë negociatave të Vjenës.
Këto dallime shpërfaqin kakofoninë në të cilat ndodhet shteti i Kosovës sa i përket agjendës së dialogut. Sepse të dy pozicionet qëndrojnë në shpërputhje me kontekstin aktual. Ngase as historia nuk mund të përsëritet, por as ardhmja nuk mundë të ndërtohet duke shpërfillur atë”, ka shkruar Kasolli. /TV Arbëria