Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, ambasadori Boris Ruge tha se ia ka nënvizuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani qëndrimin e aleancës për çështjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, në takimin që e patën sot në Prishtinë.
Ruge shkroi se me Osmanin bënë “një bilanc të asaj që është arritur” për 25 vjet dhe se asaj i ka thënë se vendimet për çështjen e urës së Ibrit duhet të vijnë përmes dialogut dhe me koordinim.
“NATO është krenare që ka ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë në Kosovë për 25 vjet. Sot me presidenten Vjosa Osmani kemi bërë një bilanc të asaj që është arritur. Për urën mbi Ibar/Ibër, nënvizova pikëpamjen e NATO-s se vendimet duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”, shkroi ai në “X”.
Takimi vjen në një kohë kur ndërkombëtarët po përpiqen t’ia mbushin mendjen kryeministrit Albin Kurti që ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mos hapet në këtë kohë.
Qeveria e Kosovës po përsërit vazhdimisht se ura do të hapet, ndërsa ndërkombëtarët paralajmërojnë “rrezik të njëmendtë” për “dhunë dhe probleme tjera”.
Osmani të hënën u takua me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, duke shkruar më pas se “hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”. Gjithsesi, ajo shtoi se “suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë”.
#NATO is proud of having provided a safe&secure environment for all in #Kosovo for 25 yrs. Today with @VjosaOsmaniPRKS we took stock of what was achieved. On the bridge over the Ibar/Ibër, I underlined NATO’s view that decisions must come thru dialogue & in a coordinated manner. pic.twitter.com/QAONPdMuyv
— Boris Ruge (@RugeBoris) August 20, 2024