Asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk ka pasur Kosova gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
Për këtë opozita e ka quajtur dështim politikën e jashtme gjatë kësaj qeverisje.
Ndërsa, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se kanë qenë jashtëzakonisht e vështirë të bëhet politikë e jashtme në kushte të tilla komplekse.
Kështu i ka thënë Gazetës Blic deputeti i kësaj partie, Gramos Agusholli.
“Unë konsideroj se gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të bëhet politikë e jashtme në kushte të tilla komplekse. Politika e jashtme është një pasqyrë e politikës së brendshme, dhe kur vendi përballet me sfida të mëdha të brendshme, këto sfida shpesh pasqyrohen edhe në marrëdhëniet me botën e jashtme”, thotë ai.
Deputeti thekson progres në politikën e jashtme liberalizimin e vizave, kalimin e fazës së parë drejt anëtarësimit në KiE, pastaj hapjen e zyrës së Kosovës në Greqi.
“Progresin në politikën e jashtme e shoh në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që na kanë mbështetur në çdo rrethanë, dhe besoj fuqimisht se kjo linjë nuk është cenuar asnjëherë. Ndër arritjet më të rëndësishme janë liberalizimi i vizave, aplikimi dhe kalimi i fazës së parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe nënshkrimi i 109 marrëveshjeve ndërkombëtare. Hapja e zyrës së Kosovës në një nga pesë shtetet që ende nuk e njohin Kosovën, siç është Greqia, është një hap strategjik i rëndësishëm”, vlerëson Agusholli.
Sipas tij, është sfidë ndryshimi i realitetit që shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet janë nën ndikimin e Rusisë dhe politikave serbe.
“Shtetet që na kanë njohur janë kryesisht vende me marrëdhënie të mira me shumicën e vendeve Perëndimore, ndërsa ato që ende nuk na kanë njohur janë nën ndikimin e Rusisë dhe politikave serbe. Duke marrë parasysh rrethanat gjeopolitike globale, me luftën në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, është e qartë që ndryshimi i këtij realiteti është një sfidë e madhe”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli.
Megjithatë, ai shton se “duhet të vazhdojmë të përpiqemi për të përmirësuar pozicionin tonë, duke ndjekur një politikë të jashtme të mençur dhe të qëndrueshme.”