Nina Tavakoli, avokate mbrojtëse e Hashim Thaçit i tha dëshmitarit Steven Russell se ai më herët ka thënë se gjatë një fjalimi në Gjilan, i mbrojturi i saj kishte deklaruar se nuk dëshironte një Kosovë multietnike.
“Ju thoni se fjalimi i Thaçit ishte armiqësor dhe ishte kundër multietnicitetit, pra që Thaçi nuk parashikonte një Kosovë multietnike dhe që ai ka dhënë një tregues që serbet nuk ishin të mirëpritur”, tha Tavakoli.
Ajo tha se asgjëkund nuk i ka thënë Thaçi gjërat për të cilat pretendon dëshmitari.
“Ai foli për Luginën e Preshevës dhe në ato rajone dhe foli që të vendosnin vetë për të ardhmen e tyre dhe që kjo ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244”, tha dëshmitari Russell pasi e dëgjoi sërish fjalimin e Thaçit.
Më pas dëshmitari tha se vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim edhe sa i takon pjesës ku kishte deklaruar për Mitrovicën ku sipas tij serbet nuk ishin të mirëpritur atje.
“Interpretimi i Mitrovicës ose mënyra se si e interpretojë unë pjesën e lidhur me Mitrovicën ishte që ai ka folur për problemet dhe shqetësimet që kanë pasur aty ose të paktën interpretimi im është që serbët nuk ishin të mirëpritur aty. Sa i takon kontekstit me të gjerë, mendoj që mund të interpretohet fjalimi dhe këto pjesë të fjalimit që serbet nuk ishin të mirëpritur në Kosovë… megjithatë çështja është që duke pasur parasysh komentet e përgjithshme që kemi dëgjuar atë ditë, unë vazhdoj të them që e kam të njëjtin qëndrim që e kam thënë më herët pavarësisht nëse mund të jetë thënë kjo gjë shprehimisht në fjalim a po jo”, tha dëshmitari.
Russell tha se kishe deklarata ku flitej për një Kosovë pa Serbi.
“Kishte deklarata ku flitej për një Kosovë pa Serbi dhe duhet të kuptoni në kontekst të operacioneve tona në atë kohë ishte konteksti shumë më ndryshe se sot dhe kishim garanci në nivelin tonë kombëtar”, vazhdoi tutje.
Më pas, Tavakoli i tha dëshmitarit që nuk ka asgjë të tillë në fjalimin e Thaçit dhe se nuk pajtohet me atë dhe se nuk ka arsye që të vazhdohet me teje për të diskutuar për këtë çështje.
“Nuk dua të jem e pasjellshme por nuk jam e interesuar për këtë. Ju keni dhënë dëshmi ku keni thënë se keni dëgjuar z. Thaçi që ka thënë disa gjëra. Unë ua lëshova incizimin dhe nuk ka asgjë të tillë, pastaj dy artikuj gazetash të botuara ku nuk thuhet asgjë çka thoni ju. Unë po ju them që jeni gabim. Në qoftë se ju nuk pajtoheni e mua e ndalojmë këtu se nuk kemi nevojën të vazhdojmë me tej”, tha Tavakoli.
Por, dëshmitari sërish insistoi në qëndrimin e tij.
“Kosova pa Serbi do të ishte në shkelje të statutit mbas të cili kishim hyr në Kosovë në atë kohë dhe unë për rrjedhojë kam bërë shënime bazuar në atë për të cilën ishim dërguar aty lidhur me serbet dhe lidhur me zonat jashtë Kosovës. Me sa duket në këto fjalime ka gjëra të ngjashme me atë”, tha ai.
Për Mitrovicën, Thaçi kishte thënë se atje gjendja nuk është aspak e mirë pasi që aty ka një ndarje të qytetit, por që nuk kishte përmendur si problematike çështjen e prezencës së serbeve atje.
“Gjendja nuk është aspak e mirë. Aty faktikisht kemi ndarje të qytetit, një ndarje që është duke na preokupuar dhe jemi duke bërë çmos që në bashkëpunim me Bashkësinë Ndërkombëtare këtë ndarje ta kthejmë dhe ura që ka qenë urë-lidhëse, ura e Ibrit të jetë urë e bashkimit. Jemi të interesuar që ta gjejmë një zgjidhje politike të këtij problemi”, kishte thënë Thaçi.
Ndërsa, për Luginën e Preshevës, Thaçi kishte thënë se arrestimet, dëbimet e shqiptarëve atje nuk duhet toleruar.
“Shpërnguljet e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe dëbimi me dhunë, arrestimet, burgosjet, torturat dhe largimi i këtyre qytetarëve për Gjilan dhe viset tjera brenda në Kosovë është një dukuri që nuk duhet toleruar. Qytetarët e këtyre viseve shqiptare kanë të drejtë të jetojnë aty sepse ata janë autokton dhe do të jetojnë aty. Ne nuk do të lejojmë që ata të largohen nga atje h deti presim këtu. Ne duhet t’i ndihmojmë ata që të jetojnë atje dhe duhet të jetojnë”, dëgjohet Thaçi duke thënë në video-incizimin e lëshuar sot në sallën e gjyqit. (Betimi për Drejtësi)