Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se zgjedhjet e reja do të jenë një mundësi e rikapitulimit të premtimeve të Qeverisë Kurti dhe llogaridhënie e veprimeve të saj.
Sipas Limajt, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i kthehet normalitetit, e cila që katër vite ka trauma dhe frikë si shoqëri.
Ai ka thënë se tash e katër vite vendi ka stagnuar në të gjitha fushat e se për katër vite, Kosova nuk mori asnjë njohje.
“Shpallja e datave zgjedhore është datë e rëndësishme. Ne bashkë si shoqëri angazhimin e kemi për ta ruajtur demokracinë. Është një moment i mirë, të bëhet një rikapitulim i gjithë veprimeve të tyre.
Të bëhet një rikapitulim i të gjithë atyre premtimeve që kanë ardhur në pushtet. Të bëhet një llogaridhënie e të gjitha veprimeve të tyre. Me katër vite qeverisje, cilët janë sektorët që janë zhvilluar?
Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i kthehet normalitetit. Tash e katër vite kemi pasur trauma, frikë si shoqëri. Tash e katër vite vendi ka stagnuar në të gjitha fushat. Për katër vite, Kosova nuk mori asnjë njohje. Kanë prishur imazhin tonë te nfertuar me vështirësi në arenën ndërkombëtare.
Kosova është kthyer në delen e zezë në rajon pa asnjë arsye. S’kanë marrë asnjë investim serioz direkt edhe atë që Kosova i ka pasur mundësitë e veta nuk janë shfrytëzuar. Ky vend është i pasigurt dhe kjo qeveri nuk ka krijuar kushte, ka pasiguri juridike. Kemi eksperimentuar mjaft me fatin e shtetit tonë, që katër vite është eksperimentuar, është koha të ndalemi këtë. Është koha për llogaridhënie dhe për mundësi të re”, ka thënë Limaj.
“Në vend që Kosova të ishte drejt anëtarësimit në NATO e BE, Kosova ballafaqohet me sanksione. Këta kanë qenë njerëz të suksesshëm në mbylljen e dyerve të vendit tonë.”