Dëshira e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për t’u shndërruar në njërin nga liderët e preferuar të Brukselit në Ballkanin Perëndimor, po dështon, shkruan sot mediumi i njohur Politico.
Këtë synim ai pretendonte ta realizonte duke i ofruar Bashkimit Evropian, me theks të veçantë Gjermanisë, qasje në minierat e pasura me litium në Luginën e Jadri-it, një element kimik ky i domosdoshëm për prodhimin e baterive të makinave elektrike dhe bateri tjera.
Muajin e kaluar në funksion të këtij projekti në Beograd qëndruan Kancelari gjerman, Olaf Scholz si dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, ku edhe u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndët e para të qëndrueshme. Kurse kancelari gjerman, deklaroi se “litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani”.
Nënshkrimi i këtij momerandumi nga BE pa dyshim se vjen si pasojë e konkurrencës dhe rivalizmit me Kinën, e cila sot, kontrollon 41% të minierave të kobaltit në botë dhe shumicën e minierave të litiumit. Siç dihet puna në këtë sektor ishte ndërprere kohë më parë, mirëpo në mbledhjen e datës 16 korrik Qeveria e Serbisë, e kishte miratuar një dekret për të rifilluar menjëherë punën duke u bazuar në përfundimet e Gjykatës Kushtetuese
Sidoqoftë, kjo marrëveshje ka nxitur një valë të reagimeve dhe protestave në Serbi. Sipas protestuesve vazhdimi i këtij projekti do të kishe efekte fatale në ambient si dhe në këtë mënyrë Serbia po bëhet përsëri koloni e fuqive të mëdha.
Pushteti në Serbi i quajti protestat si të nxituara nga shërbimet e huaja perëndimore me qëllim të instalimit të një grusht shteti. Pretendime të tilla eksponentët e tij thanë se i bazuan në bazë të informatave që morrin nga shërbimi sekret rus. Mirëpo, supozime të tilla u kundërshtuan fuqishëm nga përfaqësuesit e ambasadave të vendeve perëndimore ne Serbi. Sepse thuajse të gjitha njëzëri e kanë mbështetur investimin në minierën e Jadarit. Për më shumë, sipas analistëve politikë në atë vend kjo qasje shpreh ironinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sepse deri sa fliste për marrëveshjen për shfrytëzimin e litiumit ai e quante atë si shenjë të afrimit të vendit të tij me Perëndimin, mirëpo kur njerëzit protestojnë kundër shfrytëzimit të minierave në luginën e Jadarit, ai këto protesta i quan si konspiracion perëndimore për ta rrëzuar atë nga pushteti. /TVArbëria/
Përgatiti: Afrim Kasolli