Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme, mediumi Nacionale shkruante, se Qeveria e Kosovës dhe vendet e QUNT-it, janë duke diskutuar një kompromis të mundshëm për ndërrimin e statusit të Urës së Ibrit. Në këtë mënyrë, në vend të qarkullimit pa pengesa për automjete, fillimisht do të testohej një hapje e pjesshme disa orë në ditë e Urës që ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore dhe veriore.
Sa është real ky opsion mbetet te shihet? Mirëpo, nëse një e gjë e tillë ndodh, ky akt do të shënonte një tërheqje të bashkësisë ndërkombëtare nga refuzimi kategorik i tyre ndaj planeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen Urës së Ibrit. Se vendet e QUINT-it dhe misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë, ishin kundër kësaj nisme, e kishte konfirmuar vetë Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas takimit më Kryeministrin Kurti. Diplomati amerikan në vendin tonë, para mediave kishte deklaruar edhe nën emrin e trupave të sipër përmendur, se nuk e përkrahin këtë iniciativë.
Kurse në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, ai pohoi, “se ekziston një rrezik real lidhur me hapjen e Urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-së, përfshirë ata amerikanë”. Po ashtu, një sërë zyrtarësh të Bashkimit Evropian, duke filluar nga zëdhënësi Peter Stano, e deri te i dërguari i posaçëm i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, insistonin që çdo veprim para hapjes së Urës së Ibrit, duhet të negociohet në procesin e dialogut në Bruksel. Një kërkesë e tillë ishte bërë e qartë madje që në raportin e progresit të vitit 2023 të Komisionit Evropian për Kosovën, ku thuhej se për çështjen Urës, paraprakisht duhet të ketë një “pajtim dhe koordinim në dialog”.
Në këtë kontekst, realizmi i skenarit të sipër cekur, qoftë edhe me hapje të pjesshme, s’ka dyshim se do të shënonte në braktisje të këtij pozicioni dhe “dorëzim” të bashkësisë ndërkombëtare përballë vendosmërisë së Albin Kurtit, për vendosjen e sovranitetit në veri. E, këtij të fundit do t’i mjaftonte edhe një orë në ditë nëse hapet kjo Urë, për efekte të brendshme elektorale?
Pas targave, instalimit të kryetareve shqiptarë në katër komunat veriore, ndalimit të qarkullimit të dinarit serb, shpronësimit të tokave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok, me qëllim të “realizimit të projekteve infrastrukturore me interes publik”, mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në veri të Kosovës, dhe konfiskimit të vilave të Milan Radoeqicit në afërsi të liqenit të Ujmanit, si dhe shndërrimit të këtij të fundit në atraksion të ri “turistiko-politik”, ndërrimi i statusit të kësaj Ure do ta finalizonte narracionin politik të pushtetit për çlirimin e veriut. Madje, për eksponentët e pushtetit as rënia e Murit të Berlinit nuk do të mund të krahasohej me këtë ngjarje. Dhe se kjo arritje historike u bë mundur, jo duke i adhuruar ndërkombëtarët më shumë se Kosovën, siç po e akuzohet opozita, por nëse saje të kundërshtimit dhe vendosmërisë ndaj të pareve. Madje, në këtë mënyrë edhe duke i penguar planet e Bashkimit Evropian për ta rinegocuar edhe një herë këtë temë, për të cilën siç dihet Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit janë dakorduar që në vitin 2014.
Rrjedhimisht, shtrohet pyetja se çka do ta kushtëzonte si SHBA-në ashtu edhe Bashkimin Evropian, që ta bekonte këtë pushtet me këtë dhuratë, i cili pashmangshëm do të ishte një goditje ndaj opozitës, kur jemi pak para zgjedhjeve parlamentare?
Nuk ka dyshim se ky “mirëkuptim” i bashkësisë ndërkombëtare ndaj kësaj qasje “jo koordinuese” mund të jetë rezultat i shndërrimit të kësaj teme në disponim masiv publik. Kështu dalja kundër saj nuk është më kundërshtim vetëm i Albinit Kurtit, por edhe i vullnetit politik të shoqërisë, të cilin ky pushtet fal narracionit të përdorur është duke e kanalizuar, vetëm në këtë drejtim.
Dhe ajo që veçanërisht amerikanët tentojnë ta shmangin më çdo kusht në sytë e opinionit vendas, është se ata nuk janë kundër dëshirave të përgjithshme popullore. Kjo nuk do të thotë se ata intimisht janë me Albin Kurtin, por problemi është se nuk mund ta shmangin edhe për shkak të dobësisë dhe paaftësisë së opozitës për t’u shndërruar në alternativë ndaj tij. Ngase kjo e fundit po e përsërit të njëjtin gabim që e kishte bëre sa ishte në pushtet. Kur besonte se edhe pse i bjerrej dita ditës mbështetja popullore, ajo përsëri do të ishte e domosdoshme dhe e dobishme për bashkësinë ndërkombëtare, për shkak të qëndrimit refuzues të Albin Kurtit ndaj dialogut.
Në këtë kontekst, edhe sot pa asnjë rrëfim për të ardhmen, ajo shpreson se një konflikt i Kryeministrit me vendet aleate do t’i ndihmonte asaj për t’i ringritur në majat e pushtetit. Por në këtë mënyrë vetëm sa po e detyrojnë SHBA-në dhe vendet tjera partnere që të mos kenë opsion tjetër politik në Kosovë, pos atij të Albin Kurtit. E këta të fundit tashmë e kanë kuptuar se si duke e kundërshtuar ashtu edhe duke u tërhequr vetëm sa po e fuqizojnë aureolën e tij politik
Kam shkruar edhe në të kaluarën për ndikimin që ka narracioni në jetën politike, por jo vetëm. Pa kultivimin e tij njerëzit do të ishin të përhumbur në kohë dhe hapësirë. Ai është mapa që i ofron kuptim ekzistencës njerëzore. Sipas traditës antike, shpikja e tij ishte bërë me qëllim që të ofronte zgjidhje për fragjilitetin dhe pasigurinë e aksionit njerëzor. Për shkrimtarin dhe nobelisitin e njohur të Amerikës Latine, Mario Vargas Llosa, nevoja për të lindi nga kushti njerëzor, do të thotë “nga ai kusht i çuditshëm sipas së cilit jetojmë vetëm një herë në jetë, por jemi në gjendje të imagjinojmë apo të shpikim mijëra jetë të tjera. Duke qenë se qeniet njerëzore janë ndjerë të mbyllura në jetën e tyre e kanë dashur të jetojnë të tjera, duke i ikur atij kafazi ku janë dënuar të jetojnë një jetë të vetme në kohën kur janë në gjendje të imagjinojnë dhe të dëshirojnë të tjera. ”
Përfundimisht, sot Albin Kurti, më shumë se askush tjetër, po ushqen opinionin më imagjinatën se një jetë tjetër është e mundshme dhe se ata nuk mund të jetojnë pafundësisht brenda të njëjtëve kufizime, ku nuk mund ta kalojnë as edhe një Urë të ndarë padrejtësisht. Kurse, përfaqësues të opozitës të shqetësuar vetëm si t’i ruajnë pozicionet e brendshme familjare brenda subjekteve të tyre, në fakt vetëm sa po akomodohen brenda kafazit të tij politik./TVArbëria/