Zëvendësministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani ka shprehur pakënaqësinë e tij me pakënaqësinë e kryetarit të bordit të RTK-së dhe një anëtareje që dhanë dorëheqje për shkak se nuk u mor asnjë masë për përgjegjësit e publikimit të lajmit të rremë se disa media në Kosovë janë vënë nën kontroll nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Pasi kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe anëtarja Arta Berisha dhanë dorëheqje, Zogiani pyeti se pse më herët nuk kishte reagime të tilla, kur transmetuesi publik udhëhiqej, siç thotë ai, nga SHIK-u (ish Shërbimi Informativ i Kosovës)
“Rreth 20 vjet RTK-në e ka udhëheq SHIK! Ka vendosur strukturen menaxhuese në lajme dhe në administratë. Madje njëri nga drejtorët ka qenë i njohur si njeriu 2 ose 3 i SHIK! Qysh kurrë s’iu dëgju zani kujt! Ju po e mbroni gazetarinë?!”, shkroi Zogiani në një postim në Facebook, që s’ishte i vetmi.
“Kur ka fitu VETËVENDOSJE! drejtori për gati një dekadë i RTK i vendosur nga ish-zv.kryeministri Hajredin Kuqi, tha fitoi Rusia! A reaguat atëherë?! Ju po e mbroni gazetarinë?!”, shkroi ai në një tjetër postim më vonë.