Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Vetëkrijimi si shpëtim nga triumfi metafizik i teknologjisë

Vetëkrijimi si shpëtim nga triumfi metafizik i teknologjisë

Shkruan: Afrim Kasolli

Në një intervistë për gazetën e njohur gjermane “der Spiegel” (1966), por që kishte kërkuar të botohej vetëm si testament filozofik pas vdekjes së tij, filozofi i njohur gjerman Martin Heidegger, pohonte se tashmë filozofia në sensin tradicional ka marrë fund, dhe se “vendin e saj e ka zënë kibernetika”. E ankthi i tij me sundimin e teknologjisë ishte i kahershëm. Ai e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës. Madje duke e quar edhe në gabime fatale.

Kurse ky triumf nuk ishte diçka e rastësishme, por produkt i natyrshëm nihilizmit dhe mënyrës tradicionale të të menduarit filozofik. Vet ky mendim, po ashtu sipas këtij filozofi, që nga koha e Platonit dhe Aristotelit, në veprën tjetër, “Letër mbi humanizmin” qe konceptuar në terma teknikë. Kështu, historinë e filozofisë e kishte dalluar “harresa e qenies”. Pra që nga Platoni e tutje ishte injoruar një pyetje fundamentale, atë se çka nënkupton të jesh? Pra të jesh present, para çdo analize shkencore dhe filozofike?

Prandaj, sipas Mark Blitz, për filozofin gjerman, ky civilizim kishte udhëtuar për mijëra vjet në trajektoren e nihilizmit, dhe se pikërisht kriza kulturore dhe intelektuale e epokës sonë, ishte e lidhur pikërisht me harresën filozofike të qenies ( (Seinsvergessenheit).Mirëpo, për Martin Haideggeri-in, më shumë se format konkrete të manifestimit të këtij rendi teknokratik, preokupim kryesor u bë esenca e tij. Pra mënyra se si ne çdo gjë, qoftë natyrën apo qeniet njerëzore i shohim si material përpunues për operacione të reja teknologjike, e ku gjithçka funksionin nën ritmin e tyre. Këtu nuk duhet anashkaluar ballafaqimin e tij të mëhershëm me këtë temë; sikur se në librin “Introduction to Metaphysics” (Einführung in die Metaphysik).

Madje, janë të njohura disa nga pohimet tij skandaloze, për të vërtetën e brendshme (inner truth and greatness) të Lëvizjes Naziste, si alternativë për t’iu kundërvënë mundësive ekstreme të teknologjisë globale, duke e konsideruar si demokracinë amerikane ashtu dhe komunizmin sovjetik identik nga “pikëpamja metafizike”, si dhe duke e kërkuar shpëtimin, në virtytet heroike dhe mitologjike, të popullit (volk) gjerman, ndaj këtyre tendencave homogjenizuese. Se si përfundoj ky projekt morbid, dihet nga të gjithë ne. Kampet e prodhimit industrial të mega-vdekjeve u bënë esenca e tij. Ndërkohë, më vonë ai do të pohonte se nga pikëpamja teknologjike si prodhimi i mekanizuar në agronomi ashtu edhe prodhimi i kufomave në kampet e vdekjes, nuk dallojnë nga njëra tjetra. Ato janë pjesë e së njëjtës logjikë dhe esencë.

Ndërkohe, shpjegimi i kësaj esence zuri një vend qendror në librin e tij të njohur, “ The Question Concerning Technology” (Die Frage nach der Technik). Natyrën e këtij modeli ai e përshkruan me nocionin “Gestell”. Një termë ky vështirë i përkthyer në gjuhët tjera. Por që e ka kuptimin e asaj që i përmbledh të gjitha në një “kornizë” në një vend. Pikërisht ashtu siç greket sipas Haideggeri-it e kishin konceptuar nocionin logos (λόγος). Dhe nëse për Heraklitin, polemos-i (Πόλεμος) (lufta) ishte logos-i i të gjitha gjërave, për mendimtarin gjerman, tashmë teknologjia ishte bëre “logos-i” ynë modern. Ajo “ e dominon natyrën, historinë, njerëzit madje dhe hyjnitë”.

Kështu, të gjitha gjërat na shfaqen nën dritën e teknologjisë. Dhe ne i trajtojmë ato vetëm si materiale rezervë, pjesë për kombinime dhe rikombinime të reja. Gjithçka e ka kuptimin energjisë ose diçka që duhet organizuar. Po ashtu edhe aftësitë njerëzore i trajtojmë vetëm si një mjet për procedua teknologjike, pra kur një punëtor shndërrohet vetëm në instrument për prodhim dhe aranzhime të reja. Liderët dhe planifikuesit e burimeve njerëzore, janë ata që e kanë për detyrë që në pajtim me standardet teknokratike ta organizojnë shoqërinë etj etj.

Konstatime të tilla të Martin Hiadegger-it pa dyshim se lanë gjurmë te një plejadë e filozofëve të shekullit 20. Shumica prej tyre i pranuan disa nga tezat e tij mbi esencën pervasive të teknologjisë, mirëpo ata synonin që shpëtimin nga efektet e saj ta kërkonin në kundërshtim me përfundimet e Haideggerit.Njëri prej tyre ishte edhe mendimtari i njohur francez Mishel Foucalt. Në librin “Discipline and Punish: The Birth of the Prison”, ky teoricien i kishte analizuar disa nga teknikat moderne të ushtrimit të pushtetit, që kishin për qëllim disiplinimin e njeriut në funksion të normalizimit të shoqërisë. Këto teknika e formonin matriksën e një sërë institucionesh duke i dhënë formë rendit modern. Jeta jonë zhvillohet në kafazin e tyre. Ku çdo gjë ne në fund e vlerësojmë dhe gjykojmë në pajtim me normën. E kjo e fundit nuk është asgjë tjetër pos shprehje e pushtetit disiplinor. Prandaj, në fund të karrierës së tij akademike, ai ishte përpjekur që shtegdaljen nga tentakulat e tyre ta kërkonte në metodat antike të brengës për vetën.

Në veprat, sikur se; The Hermeneutics of the Subject, si dhe “The History of Sexuality, Vol. 3: The Care of the Self”, ky mendimtar i kishte pasqyruar disa nga këto metoda të vet-formimit dhe vet-kultivimit të njeriut, që filozofët antik i patën krijuar si pjesë e përkujdesjes për shpirtin njerëzor. Ky imperativ datonte që nga koha e Sokratit. Kjo edhe është arsyeja që filozofia kishte edhe karakter terapeutik. Kurse, këtë displinë dhe përvojën mjekësore, i karakterizonte një motërzim unik.

Sepse, të dyja këto i veçonte përpjekja për kërkimin e metodave kurative të shpirtit dhe trupit të njeriut. Në këtë kontekst, Michel Foucalt, synonte ta sajonte një perspektivë alternative në formimin e subjektit njohës dhe etik, në dallim nga ato që i impononin metodat e disiplinimit për normalizim shoqëror. Kurse këtu duhet pasur parasysh po ashtu edhe qëndrimin e tjetër të tij, në favor të projektit iluminist kantian, ndonëse jo sipas filozofisë transcendentale, në afirmimin e postulatit kryesor të iluminizmit, për t’i nxituar njerëzit që të mendojnë me kokën e tyre, si një mundësi tjetër për të dalur nga ingranazhi i teknikave imponuese të pushtetit të shoqërive disiplinuese. E në këtë mënyrë ta njohim edhe njeriun, jo vetëm sipas diskursit të shkencave humane, sepse edhe ato janë produkt i teknikave të këtij pushteti disiplinor, por sipas modeleve të vet-krijimit dhe vet-formimit “autentik”. /TV Arbëria

Themes by WordPress