Dëmet nga hidrocentralet në Deçan janë më të rëndat në historinë e Kosovës, thotë themeluesja e organizatës “Pishtarët”, Shpresa Loshaj.
Ajo thekson se lejet ujore e mjedisore dhe licenca për operim të kompanisë “Kelkos”, janë dhënë në kundërshtim me ligjet në fuqi. Operimi i këtyre hidrocentraleve, siç shprehet Loshaj, ka shkatërruar lëndinat, ndërkohë që edhe shtrati i lumit “Lumbardh”, është tharë.
Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj e Xhavit Kuçi bashkë me GLPS-në dhe organizatën”Pishtarët”, kanë bërë padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme. Kjo e fundit i pati vlerësuar si të ligjshme vendimet për dhënien e lejeve ujore dhe atyre mjedisore në hidrocentralet “Belleja”, “Deçani” dhe Lumbardhi ll”.
Aktivistja Shpresa Loshaj pret nga instanca e fundit e drejtësisë që të dëshmojë nëse Kosova, siç shprehet ajo, është shtet i pavarur dhe ka rend ligjor.
Vendimet e Gjykatës Supreme dhe të Apelit, Loshaj konsideron se janë të njëanshme, për çka bashkë me GLPS-në dhe tre qytetarë të Deçanit, kanë bërë padi në Gjykatën Kushtetuese.
Themeluesja e organizatës “Pishtarët”, Shpresa Loshaj deklaron se vendimi i Kushtetueses është ndër më të rëndësishmit për Kosovën.