Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbi njëanshmërinë e Presidentes dhe zhurmën e opozitës për datën e zgjedhjeve
zgjedhjet

Mbi njëanshmërinë e Presidentes dhe zhurmën e opozitës për datën e zgjedhjeve

 

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Më në fund merr epilog saga e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Sipas dekretit të nxjerr dje nga Presidentja Vjosa Osmani, ato do të mbahen me datë 9 shkurt të vitit 2025.

 

Kjo është Qeveria parë në Kosovën e pas pavarësisë që e përfundon mandatin e plotë kushtetues katër vjeçar. Pasi paraprakisht nismat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme kishin dështuar. Ishte fillimisht kryeministri Kurti që në disa prononcime kishte deklaruar se është i gatshëm ta plotësojë dëshirën e opozitës për zhvillimin e tyre, nëse ato kanë vullnet për ta shpërndarë Kuvendin e Republikës.

 

Partia Demokratike e Kosovës ishte tunduar nga ky opsion, për çfarë edhe kishte pranuar të bëhet pjesë e një darke të gabuar me të parin e Qeverisë së Kosovës. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kishin kundërshtuar këtë opsion duke preferuar dorëheqjen ose shkarkimin e Qeverisë. Ndërkohë, nuk kishin munguar as zërat nga pushteti që kohë pas kohe pohonin se sa më shpejt dhe më herët që shkohet ne zgjedhje, aq më mirë për këtë qeveri.

 

Mirëpo, pas  këtij dështimi e vetmja shanse për mbajtjen e tyre kishte mbetur organizimi sipas afateve ligjore. Madje, në një rast kryeministri Kurti, duke ironizuar me konfuzionin e partive opozitare, kishte deklaruar se nuk mund ta plotësojë pafundësisht dëshirën e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve, sepse këtë gjë nuk ia lejonte kushtetuta.

 

Kështu, me qëllim caktimin e datë së tyre, me 31 korrik, presidentja Osmani, i kishte ftuar të gjitha partitë parlamentare në konsultime.  Albin Kurti si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e kishte shpërfillur këtë ftesë. Kurse i dërguari i kësaj partie në takim, krye parlamentari Glauk Konfjuca, nuk ishte lejuar që të bëhet pjesë e kësaj tryeze me arsyetimin se nuk ishte i barabartë me liderët e tjerë të partive politike. Përfaqësues të opozitës u shprehen se data e tyre e preferuar për zgjedhje është 16 janari. Mirëpo, eksponentë nga Vetëvendosja, u deklaruan kundër kësaj date. Koordinatorja e komiteteve të këtij subjekti politik, Dejona Mihali, kishte pohuar “se në këtë mënyrë opozita po synon që të bëjë fushatë elektorale gjatë festave të fundit vitit dhe fillit të vitit të ri.

 

Kështu, pas “konsultimeve”me të  gjitha partitë politike, në caktimin e datës së zgjedhjeve, presidentja Osmani, më shumë e preferoi logjikën politike të pushtetit,  edhe pse të njëjtit e kishin injoruar takimin e ftuar nga ajo, se sa qëndrimit politik të opozitës. Arsyetimi i Presidencës është gati identik me atë të partnerit zyrtar qeveritar. Sipas përfaqësuesve të këtij institucioni, “Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”. Pra edhe në këtë rast ajo e dëshmoi një paaftësi kronike që ta ketë një rol neutral në raport me të gjitha partitë politike në vend, ashtu siç ka dështuar disa herë gjatë këtij mandati. Sepse është nonsens logjik që më shumë peshë te ketë qëndrimi i një partie parlamentare, se sa i tri të tjerave së bashku.

 

Mirëpo, edhe opozitës vështirë se do të mund t’i ndihmonte  mbajtja e tyre një javë më herët apo më vonë, nëse ka dështuar që ta realizoi rolin e saj opozitar gjatë këtij mandati. Kjo e fundit në pjesën më të madhe ka qenë konfuze dhe nuk ka pasur qëndrim të qartë për shumë tema, sikur se veriu, dialogu me  Serbinë etj etj. Për më shumë, ajo ka vepruar brenda logjikës politike të kryeministrit.

 

Kjo ka bërë që Abin Kurti të ketë hegjemoni të plotë. Ai më shumë është sfiduar nga mediat se sa nga partitë opozitare. Strukturat drejtuese më shumë kanë kalkuluar se si ta ruajnë e pushtetin e brendshëm partiak, se sa ta luftojnë Albin Kurtin. Drejtues të tyre kryesisht kanë shpresuar se dështimi i pushtetit për t’i plotësuar premtimet e dhëna ndaj qytetareve, apo tensionet eventuale me ndërkombëtarët për dialogun, do t’u përkthehet më automatizëm në mbështetje masive publike.  Kështu detyra e vetme e tyre ka qenë vetëm vëzhgimi “vegjetativ” politik. Dhe sa hap e mbyll sytë të njëjtit mund të rikthehen në majat e Olimpit politik.

 

Sidoqoftë, nuk ka iluzion më të madh në politikë se sa besimi se nga qëndrimi pasiv mund të lindin kthesat.  Madje kjo dëshmon se pjesa më e madhe e tyre nuk e ka kuptuar kurrë apetitin e qytetarëve të Kosovës për ndryshim . Dhe si të tilla me këtë pozicion pasiv në mënyrë të vetëdijshme apo pa vetëdijshme janë përcaktuar kundër kësaj fryme shoqërore.  E ky(mos) veprim, ka qenë dhurata me më e çmuar e Albin Kurtit.

 

Këtë paradoks asgjë nuk e pasqyron me mirë se sa të dhënat e fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), nëpërmjet matjes së pulsit publik. Sipas këtij hulumtimi ishte vërejtur një rritje e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Qeverisë, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes, në krahasim me vitet paraprake, përkundër paknaqëhmërisë me “varfërinë, papunësinë dhe çmimet për furnizimet esenciale”. Disponim ky, që dëshmon se qytetarët e kanë humbur shpresën se edhe opozita e tanishme mund te jete alternativë ndaj pushtetit, çfarë edhe ka ndikuar që kjo shoqëri të jetojë ndërmjet pakënaqësisë mbi gjendjen dhe kënaqësisë me pushtetin

 

Kështu, strukja katërvjeçare opozitare nuk mund te kompensohet nga çfarë do zhurme e mundshme për datën e zgjedhjeve./Arbëria TV

Me shume nga Kasolli 

 

 

Powered by WordPress