Shkruan: Agron Hoti
Vetë shuma e parave e ndarë nga SHBA në prill të këtij viti e përcakton edhe shkallën e rrezikut të konflikteve në nivel global: 1) Për Ukrainë janë ndarë $ 61 milardë; 2) Për Izrael $26 miliardë; dhe 3) Për Tajvan $8 miliardë.
Qëllimi madhor dhe historik i SHBA-së është që masa tokësore e Euroazisë, pra më e madhja në glob, mos të bjerë nën asnjë hegjemon të vetëm. Ai që e sundon Euroazinë e sundon botën. Deri me sot askush s’ia ka dalë ta pushtojë tërë Euroazinë, pra Evropën dhe Azinë të marra së bashku.
Përmes frenimit të Rusisë në Ukrainë, SHBA po e shpëton Evropën dhe Atlantikun, pra po e shpëton krahun lindor të saj. SHBA i ka ende të freskëta kujtimet mbi furinë e sulmeve të flotës gjermane në Atlantik dhe bregun lindor të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Meqë s’ka asgjë më të kushtueshme në glob sesa lufta, atëherë një luftë sa më e gjatë në Ukrainë do ta lodhë aq shumë Rusinë sa ta çrangojë nga fuqia rajonale që ka sot, në një shtet pa peshë në zhvillimet globale.
Përmes Izraelit të mbështetur nga Vendet Arabe dhe Turqia, SHBA po e frenon Iranin e mbështetur nga Rusia që të mos ia arrijë ta pushtojë Gadishullin Arabik, nga ku pastaj Rusia do të dilte e lirë në jug, pra në Oqeanin Indian, nga ku pastaj do të cenoheshin rrugët kryesore detare në glob. Për aq sa ka interes SHBA ta shporrë Iranin nga Lindja e Mesme, po aq interes kanë edhe Vendet Arabe dhe Turqia. Përderisa Izraeli kryen punë në tokë, SHBA dhe Britania e Madhe e mbështesin nga ajri dhe deti. Një luftë sa më e gjatë e Izraelit me Iranin e lodh këtë të fundit që të mos arrijë më të përbëjë rrezik të pushtimit të Vendeve Arabe.
Përmes Tajvanit, Japonisë, Azisë Juglindore, Australisë dhe Zelandës së Re, SHBA e frenon Kinën që të dalë e lirë në Oqeanin Pacifik nga ku pastaj do të rrezikohej krahu perëndimor i saj. SHBA i ka ende të freskëta kujtimet mbi furinë e sulmeve të flotës japoneze në Pacifik dhe bregun perëndimor të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sa më shumë që me kalimin e kohës do të zvogëlohet rreziku në Evropë dhe Lindje të Mesme, sepse do të lodhen si Rusia ashtu edhe Irani, aq më shumë do të rritet rreziku në Azi Lindore, ku rivaliteti mes Kinës dhe Japonisë, që të dyja të varura nga importi i energjisë dhe resurseve, do të vëzhgohet me shumë vigjilencë nga SHBA.
Përderisa SHBA në Evropë dhe Lindje të Mesme po i rri anash problemit ngase si Ukraina ashtu edhe Izraeli ia kanë dalë ta frenojnë Rusinë dhe Iranin, në Azi Lindore do t’i duhet t’i futet vetë drejtëpërdrejtë problemit, sepse vetë zhvillimi i hovshëm ekonomik në atë zonë, pastaj lufta për resurse dhe energji e shoqëruar me garë të paparë armatimi, do ta detyrojnë SHBA-në të ketë prezencë të fuqishme ushtarake atje.
E kur SHBA do të jetë e përqendruar në Azi Lindore me forca të shumta ushtarake, në Evropë e Lindje të Mesme do t’i duhet qetësi, prandaj edhe po synohet që përmes një lufte sa më të gjatë dhe shumë të kushtueshme të zvogëlohet në minimum çfarëdo rreziku rus për ta pushtuar Evropën si dhe të zvogëlohet çfarëdo rreziku iranian për ta pushtuar Gadishullin Arabik. Dhe kur SHBA do të sigurohet që Rusia s’do të ketë më asnjë mundësi të dalë e lirë në Atlantik dhe në Oqeanin Indian, atëherë dalëngadalë do ta zvogëlojë prezencën ushtarake në Evropë dhe Lindje të Mesme dhe do ta rrisë në Oqeanin Pacifik.
Prishtinë, më 17 gusht 2024