Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar të premten në mbrëmje se për rastin e vrasjes në Ferizaj është arrestuar edhe një person i dyshuar.
“Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.
Vrasje në Ferizaj
Një person është vrarë me armë zjarri në oborrin e një salle të dasmave në fshatin Bibaj të Ferizajt të premten në mbrëmje, ndërsa për rastin është arrestuar një zyrtar policor si i dyshuar. Lajmi është konfirmuar nga Policia dhe Prokuroria.
“Me të marrë informacionin, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësi policore reaguese dhe hetuesit. Sipas informacioneve fillestare i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasje është një zyrtar policor, i cili është arrestuar. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Inspektorati Policor”, ka thënë zëvendësdrejtori rajonal i Policisë, majori Qazim Reka.
Sipas dyshimeve të para, bëhet fjalë për vrasje joaksidentale. Bëhet e ditur se i vdekuri ka qenë në moshë të shtyrë.
Reka ka thënë se viktima ka vdekur në vend të ngjarjes.
Siç ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj zyrtari policor është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “vrasje e rëndë”.
“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorië Themelore në Ferizaj z.Shukri Jashari dhe prokurorin kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në njoftim.
E Inspektorati Policor ka thënë se zyrtari policor është vetëdorëzuar dhe ka dorëzuar edhe armën zyrtare që dyshohet se e ka përdorur në këtë rast. Ai është suspenduar.