Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Mllefi i Serbisë ndaj rusëve që janë kundër luftës së Rusisë në Ukrainë

Mllefi i Serbisë ndaj rusëve që janë kundër luftës së Rusisë në Ukrainë

“Ne jetojmë një ditë në një kohë. Është një makth, por jemi mësuar me të”, thotë Elena Koposova, një shtetase ruse, kërkesa e së cilës për qëndrim të përhershëm në Serbi u refuzua për herë të dytë.

Një vendim të tillë e ka marrë javën e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me shpjegimin e prerë se shërbimi i sigurisë ka të dhëna “të cilat janë pengesë për miratimin e kërkesës së saj”.

Kjo përkthyese letrare nga Shën Petersburgu në fund të vitit 2019 me bashkëshortin dhe dy fëmijët u shpërngul në Serbi. Ata blenë një shtëpi në malin Kosmaj, rreth pesëdhjetë kilometra në jug të Beogradit.

Letër kundër luftës

Jeta në fshatin e familjes Koposov ishte idilike deri në shkurt të vitit 2024, kur autoritetet kompetente refuzuan t’i jepnin qëndrim të përhershëm Elenës, e cila deri atëherë kishte një leje qëndrimi të përkohshme. Ajo u urdhërua të largohej nga Serbia brenda 30 ditëve, me shpjegimin se ajo përfaqëson një “rrezik të papranueshëm të sigurisë”.

Megjithatë, pas një fushate mediatike dhe një peticioni të nisur nga qytetarët, Ministria e Punëve të Brendshme e pranoi ankesën e saj dhe i dha asaj një qëndrim të përkohshëm.

Shkak për vendimin e fundit të policisë, si dhe atë të shkurtit, Elena Koposova e sheh në faktin se në vitin 2022 ka nënshkruar një letër publike kundër pushtimit rus në Ukrainë.

Ishte angazhimi i saj i vetëm që kur Kremlini nisi agresionin kundër vendit fqinj. Ajo nuk mori pjesë në protestat kundër luftës, të cilat komuniteti rus i organizoi disa herë në qendër të Beogradit.

“Nuk mund ta mendoja kurrë se mund të ishte problem. Vetëm kur më refuzuan qëndrimin e përhershëm në shkurt të vitit 2024 mendova se letra mund të ishte arsyeja”, thotë Koposova.

REL kërkoi nga Agjencia për Siguri dhe Informim dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme që të sqarojnë vendimin për moslejimin e qëndrimit të përhershëm të Koposovës, por deri në mbylljen e artikullit, përgjigja nuk kishte ardhur.

Sipas mendimit të saj, dënimi i luftës në letrën e nënshkruar nuk ndryshon shumë nga qëndrimi parimor i shtetit të Serbisë. Përkatësisht, përfaqësuesit e Serbisë në Kombet e Bashkuara në disa raste i janë bashkuar dënimit të pushtimit rus dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Ukrainës.

“Kam menduar se ky dënim i luftës është në përputhje me politikën e Serbisë”, thotë Koposova.

Marrëdhëniet serbo-ruse

Megjithatë, Beogradi zyrtar ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për dy vjet e gjysmë dhe zyrtarët serbë janë ndër të paktët në Evropë që takohen me zyrtarë të Kremlinit.

Këtë javë në Moskë vizituan Aleksandar Vulin, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë, si dhe ministri pa portofol Nenad Popoviq.

Vulin, i cili deri vitin e kaluar ishte kreu i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), në një takim me kreun e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, diskutoi për përmirësimin e “partneritetit strategjik” midis Serbisë dhe Rusisë dhe përsëriti se Beogradi nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Nenad Popoviç njoftoi nga Moska “zgjerimin e bashkëpunimit me Rusinë”.

Vulin dhe Popovic kanë qenë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara që nga korriku 2023, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tyre me zyrtarët rusë.

Pas kësaj, filloi anulimi i mikpritjes për pjesëtarë të caktuar të diasporës ruse që morën pjesë në protestat kundër luftës.

Rampë për aktivistët

Së pari, në korrik 2023, qëndrimi i përkohshëm iu mohua aktivistit kundër luftës Vladimir Volokhonsky, dhe më pas një muaj më vonë Yevgeny Iržansky. Të dy kishin një qëndrim të qartë kundër luftës ndaj pushtimit rus. Në të dyja rastet, MPB-ja deklaroi se kishte “pengesa sigurie” për zgjatjen e qëndrimit.

Yevhenij Irzhanski është shtetasi i tretë i Rusisë që kundërshton luftën në Ukrainë, ndaj të cilit autoritetet në Serbi po marrin masa për ndalimin, foto ilustruese

Në mars 2024, Ministria e Brendshme refuzoi t’i lëshonte një leje qëndrimi të përhershme familjes ruse tre anëtarëshe Tereh. Në vitin 2019, Irina, Sergej dhe djali i tyre dhjetë vjeçar Mark u shpërngulën nga Rusia në Banja Koviljaç në Serbinë perëndimore. Arsyetimi për refuzimin e qëndrimit të përhershëm, si në rastin e Elena Koposovës, ka ardhur deri në formulimin se ka problem sigurie.

Sipas informacioneve të fundit, familja Tereh, pas refuzimit të ankesës së tyre nga MPB-ja, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Administrative.

Ndryshe nga Elena Koposova, asnjë nga anëtarët e familjes Tereh nuk i shprehu publikisht pikëpamjet e tyre për politikën e luftës ruse.

“Që nga fillimi i luftës, Rusia ka pasur një ndikim të madh në Serbi”, thotë Elena Koposova, duke interpretuar vendimet e autoriteteve kompetente ndaj qytetarëve rusë.

Ajo thotë se është kontaktuar nga disa qytetarë rusë në Serbi të cilëve u janë refuzuar edhe kërkesat për qëndrim, por të cilët kanë frikë të dalin publikisht.

“Të gjithë kanë qenë në protestat kundër luftës. Policia ka qenë e pranishme në ato ngjarje dhe ka fotografuar pasaportat e tyre. Tani disa prej tyre kanë problem me lejen e qëndrimit”, thotë Koposova.

Ajo thotë se nuk mund ta imagjinojë jetën e saj dhe të familjes në Rusi.

“Nëse ky veprim im i vogël kundër luftës do të ishte shkak për ngjarje të tilla drastike në jetën time, kjo do të thotë se në Rusi mund të më arrestonin menjëherë, dhe burri im të mobilizohej dhe të dërgohej në ushtri për të vrarë ukrainasit”, thotë Koposova.

Kritere të paqarta sigurie

Avokati Nikola Kovaçeviq i tha RSE se shteti ka të drejtë të refuzojë qëndrimin për shtetasit e huaj, por se kjo nuk vlen në rastet kur kthimi në vendin e origjinës mbart një rrezik serioz për ata njerëz.

“Këta njerëz nuk duhet të kthehen prapa”, thotë Kovaçeviq.

Sipas tij, autoritetet shtetërore nuk duhet të vendosin etiketa për “rrezikun e papranueshëm të sigurisë” pa shpjegim, si në rastin e Elena Koposovës.

“Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duhet të deklarojnë arsye minimale, që këta persona të kenë të drejtë ankese, në të kundërtën është shkelje edhe e Konventës Evropiane edhe e Kushtetutës sonë, edhe e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative”. shpjegon Kovaçeviq.

Kovaçeviq paralajmëron se, nëse praktika e dhënies së vlerësimeve të sigurisë pa një shpjegim të qartë vazhdon, kjo mund të çojë në mbajtjen e Serbisë përgjegjëse para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kovaçeviq thotë se nga përvoja e pasur juridike që ka, mund të konstatojë se vendime të tilla merren pjesërisht nën ndikimin politik, por edhe për shkak të automatizmit të autoriteteve gjyqësore.

“Për shembull, nëse jeni terrorist në Turqi, do të jeni terrorist edhe në Serbi, pavarësisht nëse ato akuza për terrorizëm janë të bazuara apo janë një mjet për autoritetet turke për t’ju mbyllur gojën. Është e qartë se është çështje e cilësia e ulët e punës së shërbimeve të sigurisë, por ka edhe ndikim të politikës Duke i kombinuar të dyja, shohim se sa të dobëta janë institucionet tona, të cilat duhet të zbatojnë ligjin e imigracionit”, thotë Kovaçeviq.

Elena Koposova planifikon të ankimojë sërish në MPB kundër vendimit për refuzim të qëndrimit të përhershëm. Ndryshe nga hera e kaluar, kur MPB-ja e miratoi, kësaj radhe pret të refuzohet.

Sipas procedurës, më pas ajo do të mund të ankohet në Gjykatën Administrative dhe në rast se ky institucion nuk vendos në favor të saj, në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg mbetet zgjidhja e fundit.

“Shpresa jonë më e madhe është që do të qëndrojmë dhe do të jetojmë në shtëpinë tonë në Serbi”, thotë Elena./REL