Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump u shpreh dje se e ka këshilluar kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu kur u takuan muajin e kaluar për të “arritur fitoren shpejt” sepse “vrasjet duhet të ndalen” në Rripin e Gazës.
Në konferencën për shtyp të thirrur dje nga Trump në Nju Xhersi, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë u pyet nëse do ta inkurajonte Netanjahun që të mos pranonte një marrëveshje armëpushimi me Hamasin
Manjati mohoi ta kishte bërë këtë, duke thënë se Netanyahu “e di se çfarë po bën”.
“Unë e inkurajova atë t’i jepte fund asaj shpejt, fito dhe përfundo shpejt. Duhet të ndalen vrasjet”, shpjegoi Trump.
Më vonë, në një ngjarje për luftën kundër antisemitizmit, Trump kritikoi thirrjet për një armëpushim në Rripin e Gazës, të nisura prej muajsh nga rivalja e tij demokrate, Kamala Harris.
“Që nga fillimi zv.presidentja e SHBA-së punoi për t’i lidhur duart pas shpine të Izraelit, duke bërë thirrje gjithmonë për një armëpushim të menjëhershëm”, i cili do t’i jepte kohë Hamasit për t’u rigrupuar dhe për të nisur një sulm të ri të stilit të 7 tetorit. Unë do t‘i jap Izraelit mbështetjen që i duhet për të fituar, por unë dua që të fitojë shpejt”, përsëriti ish-presidenti amerikan.
Gazeta “Times of Israel” thekson se shprehja “vrasjet duhet të ndalen” është gjëja më e afërt me kritikën e parë të qartë të Trump për vazhdimin e luftës së shtetit hebre në enklavën palestineze.
Më pak se një muaj më parë, në një intervistë me Fox Neës, manjati i kishte bërë thirrje Netanjahut të “përfundonte” ofensivën në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se “imazhi i Izraelit në botë është duke u njollosur. Duhet të përfundojë shpejt, nuk duhet të zgjasë më, është shumë e gjatë”, kishte thënë Trump.