Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Reali apo Atalanta? Sonte përcaktohet super-kampioni i Evropës

Reali apo Atalanta? Sonte përcaktohet super-kampioni i Evropës

Real Madridi dhe Atalanta do të zbresin në fushë sonte për ta kërkuar trofeun e parë të sezonit të ri.

Fituesi i Ligës së Kampionëve dhe fituesi i Ligës së Evropës do t’i matin forcat në ndeshjen që do të luhet në Varshavë të Polonisë, duke filluar nga ora 21:00.

“Los Blancos” do të mundohen ta përsërisin sezonin e fundit fantastik, kur e dominuan Evropën dhe Spanjën, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri Carlo Ancelotti nuk do të mundë të llogarisë në francezin Eduardo Camavinga pasi mesfushori luftarak pësoi lëndim të rëndë dje në stërvitje.

Gjithashtu, jashtë mbetet qe një kohë edhe David Alaba, ndërsa në dispozicion të trajnerit italian do të jetë përforcimi më i madh i verës, Kylian Mbappe.

“DonCarlo” pret lojë të vështirë sonte, por shpreson që ekipi i tij të jetë në formë të duhur për t’i mposhtur Berat Gjimshitin me shokë.

“Do të jetë e vështirë si gjithmonë sepse është fillimi i sezonit. Por, ne do të shkojmë atje me një besim të madh. Besoj se Atalanta e meriton të jetë atje sepse luajti shkëlqyeshëm në Ligën e Evropës në edicionin e kaluar, duke eliminuar top-ekipe si Liverpooli. Ata ishin në gjendje t’i fitonin ndeshjet e tilla mjaft lehtë, madje edhe në finale. Për këtë, ne e respektojmë shumë këtë ekip, i cili e kishte një sezon fantastik. Ndërkohë, ne shpresojmë të jemi në formën tonë më të mirë”, deklaroi Ancelotti në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s.

E për këtë ndeshje të madhe për ekipin bergamask foli trajneri Gian Piero Gasperini, i cili e bëri mrekullinë në edicionin e kaluar.

“Për mua është thelbësore që skuadra të luajë një lojë të mirë pa menduar se kush është atje dhe kush nuk është. Ne duam ta bëjmë më të mirën që mundemi, ne jemi të vetëdijshëm për mungesat, por edhe kur u përballëm me Liverpoolin kishim disa lojtarë të lënduar dhe gjërat shkuan mirë. Edhe pse kemi shanse më të vogla në krahasim me lojën me Leverkusenin, motivimi ndonjëherë ndihmon për t’i përmbysur parashikimet”, deklaroi trajneri italian në konferencë për shtyp.

Atalanta do t’i ketë disa mungesa si Koopmeiners, Zaniolo, Toloi, Scamacca dhe Scalvini.

Powered by WordPress