Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në shtetin e fundit për nga PISA, qeveria me 51% pushtet e 12 miliardë euro buxhet, nuk ka arritur asnjëherë ta nisë vitin shkollor mbarë.
Abdixhiku tha se sivjet, sikurse vjet “ministria e Arsimit, në i thënshin ashtu, nuk arrin t’i sigurojë librat për nxënësit”.
“Sikurse vjet, edhe sivjet, prindërit do të maltretohen në radhë të gjata, në procedura të panevojshme burokratike subvencionimi, e përfundimisht dhe në pamundësi blerjeje me kohë të teksteve shkollore për fëmijë. PAAFTËSIA KUSHTON! POPULLIZMI KUSHTON”.
“Prandaj injorojeni propagandën. Shihni problemet elementare me të cilat ju lënë të vetëm në hall. Sa larg jemi nga reforma, kur as edhe një vit të vetëm shkollor nuk arrinë ta nisin mbarë”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së, tha se ky është viti i fundit që familjet, prindërit e fëmijët kosovarë përjetojnë një maltretim të tillë.
“Vitin i ardhshëm shkollor do të nisë me koeficient 150 për mësimdhënësit tanë, e me tekste shkollore të siguruara nga shteti për nxënësit e Kosovës. Ky është zotimi im! Paga të dinjitetshme, tekste falas para bankave”, tha ai.