Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vrasja në Gllamnik të Podujevës, dëshmitari thotë se viktima ishte goditur me thikë nga i akuzuari

Vrasja në Gllamnik të Podujevës, dëshmitari thotë se viktima ishte goditur me thikë nga i akuzuari

Dëshmitari Valdrin Rrustemi gjatë dhënies së dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Orges Zhugollit, i cili ngarkohet se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., tha se i akuzuari pasi kishte dalë nga vetura kishte shkuar në drejtim të viktimës dhe të njëjtin e kishte goditur me thikë në gjoks.

“Me sa më kujtohet, me thikë ka dalë nga vetura”, deklaroi dëshmitari Rrustemi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në natën kritike, ishin nisur për në Prishtinë por kishin ndaluar për të pirë kafe në fshatin Gllamnik.

“I ndjeri po e drejtonte veturën e tipit “Golf 6”, në të cilën gjendeshin edhe të tjerët (Endrit Rrustemi, Redon Rrustemi, Valon Uka, dhe Valdrin Rrustemi). Ne u takuan me të akuzuarin tek furra “Melis” , i cili e drejtonte veturën e tipit “Golf 2”. Në momentin kur i ndjeri tentoi të tejkalonte, i pandehuri e pengoi duke vozitur në mes të dy shiritave dhe me shpejtësi të ngadaltë”, tha dëshmitari Rrustemi.

Sipas tij, kur i akuzuari Zhugolli e vërejti se vetura ishte tejkaluar, ai filloi ta bllokonte me drita dhe ta ndalte të ndjerin afër furrës “Melis”.

“Mbrapa tij, u ndal Zhugolli, i cili pasi kishte dalë nga vetura, shkoi në drejtim të të ndjerit dhe e goditi me thikë në gjoks”, tha Rrustemi.

Më tej, dëshmitari deklaroi se pasi e kishte goditur të ndjerin, i akuzuari i kishte sharë edhe të tjerët që ishin të pranishëm aty.

Dëshmitari tha se i akuzuari Zhugolli u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke shtuar se ai dhe shokët e tjerë e dërguan tani të ndjerin Zh. në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Lidhur me të akuzuarin, dëshmitari deklaroi se për të nuk e kishte njohur më parë.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua dëshmitarit Redon Rrustemi, i cili tha se të akuzuarin nuk e kishte njohur më parë.

Ai tha se nuk kishin mundur të ndalonin të akuzuarin që të mos ta goditke tani të ndjerin A.Zh.

“S’kemi mujt me reagu, se direkt ka ardh te A.”, tha dëshmitari Redon.

Tutje, në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Zhugolli, avokati Naim Rudari, kërkoi nga trupi gjykues që të shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore për rimarrje në pyetje të dëshmitarëve.

“Kërkoj të rezervoj të drejtën që dëshmitarët që janë në shqyrtim gjyqësor dhe që ditën kritike kanë qenë me të pandehurin, të ridëgjohen sërish, ku shihet mirë pamja e nxjerrë nga furra ‘Melis’ dhe dëgjohet mirë zëri gjatë kësaj përleshjeje. Meqenëse neni 330 i KPPRK, paragrafi 1 e parasheh këtë,” tha avokati Rudari.

Lidhur me kërkesën e avokatit Rudari, trupi gjykues e njoftoi atë se marrja në pyetje është në këtë fazë të procedurës, ndërsa për paraqitjen e provave materiale është një fazë tjetër. Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësi Ertan Sejfulla, në fazën e administrimit të provave materiale nuk do të ftohen më dëshmitarët.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.Zh., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.