Sulmet politike ndaj sistemi juridik në Kosovë nuk janë të reja. Sa herë që afrohen zgjedhjet qoftë lokale apo nacionale shpeshtohen edhe ato. Protesta e djeshme e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje para Prokurorisë Speciale me motiv zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit, është vetëm rasti me i freskët i kësaj logjike politike.
Një qasje të tillë thuajse ndër vite e kishte përdorur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës për aktivistet e saj të vrarë në periudhën e pas luftës. Ndonëse, këtu duhet bërë të qartë që në fillim, se rastet e këtyre zyrtarëve të LDK-së dhe atij të Astrit Deharit dallojnë rrënjësisht. Sepse për të parët nuk ka hapësirë për dyshime se janë vrare nga një dorë e padukshme. Ato kane ndodhur. Mirëpo, ajo që i bashkon këto mendësi është përpjekja për të përfituar nga viktimizimi politik.
Nuk ka pasur fushatë zgjedhore në të kalurën që këto raste nuk janë adresuar publikisht. Është sulmuar nëntoka politike e SHIK-ut për këto atentate etj. Kurse përfaqësues të kësaj partie janë betuar se do të angazhohen maksimalisht për drejtësi për viktimat. Mirëpo me t’u akomoduar në pushtet, madje edhe pse e drejtonin Ministrinë e Drejtësisë, kjo teme heshtej deri në zgjedhjet reja, për t’u aktivizuar si pjesë e adrenalinës elektorale.
Të njëjtin skenar sot po e përsërit Lëvizja Vetëvendosje. Rastin fatkeq të Astrit Deharit e shndërruan në kauzë për mobilizim politik në zgjedhjet e fundit. U zotuan se me të marrë pushtetin kjo vdekje e “mistershme” do të zbardhet. Dhe se drejtësia do të triumfojë. Madje pak ditë pasi ministrja e Drejtësisë, Albluena Haxhiu, e mori pushtetin shkoi për ta vizituar dhomën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku i ndjeri ndodhej në çastet fatale. Pas asaj ceremonie “kuazi hyjnore” asnjë veprim konkret në këtë drejtim, edhe pse i kanë në dispozicion të gjitha hallakat e pushtetit. Madje, nën drejtimin e kësaj partie vetëm sa janë përkeqësuar dëshmitë e këtij rasti
Dhe tash kur jemi në fund të mandatit qeverisës partia në pushtet ka filluar përsëri të kërkojë fajtorin kujdestar për këtë dështim. /TV Arbëria