Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dilema e mos(hapjes)

Dilema e mos(hapjes)

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka kohë që kryeministri Kurti e ka “braktisur” obligimin për ta zbatuar Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër. Kështu në vend të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sipas planit franko-gjerman për këtë pajtim është angazhuar që me operacione policore dhe ligjore ta shtrijë autoritetin e shtetit të Kosovës në pjesën veriore.

A mund të stabilizohet dhe integrohet komuniteti serb në kuadër të shtetit të Kosovës, vetëm në këtë mënyrë dhe pa zbatim të detyrimeve që dalin nga procesi politik i dialogut është një tjetër temë? Sidoqoftë, këto lëvizje shefi i ekzekutivit i ka arsyetuar me refuzimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për ta nënshkruar marrëveshjen në fjalë, si dhe letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, dërguar Bashkimit Evropian, në të cilën ajo konfirmon, se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, sepse ky shtet deklaron se nuk do t’i përfill disa nene të kësaj marrëveshjeje.

Ndërkohë, në anën tjetër nuk mund të mohet fakti se kjo zhvendosje taktike i ka krijuar jo pak favore të brendshme politike Albin Kurtit. Bashkësia Ndërkombëtare i ka dënuar këto aksione si të njëanshme dhe të pakoordinuara, e ka izoluar shefin e Qeverisë së Kosovës, por ai ia ka arritur ta justifikojë këtë gjendje, si një e keqe e domosdoshme për vendin.

Në këtë mënyrë, madje ai ia ka dalur edhe ta polarizojë opinionin publik në dy kampe kryesore; ndërmjet atyre që e duan më shumë Kosovën dhe atyre që i duan më shumë ndërkombëtarët se Kosovën. Kush i përkrah veprimet e tij është me të parën, kurse kush ka dilema është me të dytën. Këtij ingranazhi nuk kishin mundur t’i shpëtonin as dy liderët e opozitës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kur ishin sfiduar botërisht nga Albin Kurti, se a janë për ta luftuar krimin me koordinim apo pa koordinim?

Për ta kompletuar këtë seri tashmë kishte mbetur edhe Ura e Ibrit. Simbol ky, i ndarjes së qytetit të Mitrovicës në dy pjesë, atë veriore dhe jugore. Hapja e saj edhe për qarkullim të automjeteve fillohej të interpretohej si akti final i triumfit përdundimtar të çlirimit të veriut. Narracion më të frytshëm për zgjedhjet që po afrohen as që mund të ketë. Mirëpo, kjo nismë solli një kundërshtim të paparë të shteteve të QUINT-it dhe forcës paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, KFOR, se nuk do ta përkrahin ndërrimin e statusit të kësaj ure.

Tashmë është bërë e qartë se hapja e saj nuk mund të bëhet, veçanërisht pa miratimin e këtyre të fundit, që edhe janë përgjegjës për sigurinë e Kosovës. Në këtë kontekst, entuziazmi për “bashkimin” e shpejt të këtij qyteti, ka gjasa t’i rikthehet në bumerang pushtetit në Kosovë.

Vendosmëria për ta finalizuar këtë akt dramatik do ta konfrontonte Kosovën më bashkësinë ndërkombëtare. Kështu, konflikti i pa përfunduar me Serbinë, për fundin e të cilit Kosova kishte punuar pareshtur më të parët për ta zgjidhur, do të shndërrohej në antagonizëm ndërmjet Kosovës dhe vendeve partnere. Pasojat e këtij skenari ogurzi nuk ka nevojë të imagjinohen. Mirëpo, nëse, Albin Kurti tash vendos të zbythet ai do ta firmoste disfatën e brendshme politike. Sepse, me qëllim që ta dallojë vetën nga ish-lidereshipi politik i vendit, lideri i Vetëvendosjes i ka kultivuar te një pjesë e ndjekësve të tij fanatikë ato sentimente, sipas të cilave Kosova është vend sovran dhe nuk ka çka i pyet partneret për ura te brendshme etj etj.

Sidoqoftw, pavërisht epilogut të kësaj teme, megjithatë pasojat e saj çarjeje do të mbesin. Sepse vetë ushqimi i këtij disponimi nuk është në interes strategjik të Kosovës. Në fund të fundit, ngjarjet e 24 shtatorit e dëshmuan këtë. Përpos që Kosova e përballoi në bashkëpunim me vendet aleate këtë agresion paramilitar, po ashtu pa kaluar shumë kohë, NATO i shtoi trupat e saj ushtarake në Kosovë për ta mbrojtur këtë fundit nga ndonjë provokim apo agresion që e kërcënon sigurinë e saj. Fakte këto, që qëndrojnë në kundërshtim flagrant me retorikën që u krijua ditëve të fundit për përfitime momentale elektorale. /TV Arbëria

Powered by WordPress