Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Pakistani arreston ish-kreun e zbulimit të vendit

Pakistani arreston ish-kreun e zbulimit të vendit

Ushtria e Pakistanit njoftoi të hënën se kishte arrestuar ish-shefin e zbulimit të vendit dhe se ka nisur procedurat për gjyq ushtarak kundër tij me akuza për shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje të rregulloreve të ushtrisë.

Arrestimi i gjeneralit në pension Faiz Hameed, i cili shërbeu si kreu i zbulimit (ISI) nga viti 2019 deri më 2022, është diçka e pazakontë në Pakistan. Ushtria e fuqishme e vendit ka sunduar për më shumë se 30 vjet që kur vendi fitoi pavarësinë më 1947. Ushtria vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm.

Ushtria vuri në dukje në njoftimin e së hënës se arrestimi u bë pas një hetimi të urdhëruar nga Gjykata e Lartë kundër zotit Hameed. Ushtria deklaroi se gjatë hetimit u konfirmuan ‘raste të shumta të shkeljeve të Ligjit të Ushtrisë së Pakistanit’.

Emri i zotit Hameed u përmend gjerësisht në mediat lokale për përfshirjen e tij të dyshuar në politikën kombëtare dhe ushtrimin e ndikimit tek gazetarët gjatë mandatit të tij si shef i ISI-t.

Gjenerali tërhoqi vëmendje globale kur gazetarët e panë atë në një hotel në Kabul, menjëherë pasi talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit në gusht të vitit 2021. Talibanët u rikthyen në pushtet ndërsa forcat perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara u tërhoqën pas gati dy dekadash luftë në Afganistan.

Gjatë pranisë së tyre në Afganistan, Uashingtoni dhe vendet aleate kishin akuzuar ISI-në se ofronte strehë dhe u mundësonte në mënyrë të fshehtë udhëheqësve talebanë të orkestronin sulme kryengritëse nga Pakistani kundër forcave ndërkombëtare në anën afgane të kufirit.

Zoti Hameed besohej të ishte i afërt me ish-kryeministrin Imran Khan, i cili e emëroi atë në krye të ISI-t kur ishte kryeministër.

Zoti Khan u rrëzua nga pushteti në vitin 2022 me një mocion mosbesimi në parlament që ai pretendon se ishte orkestruar nga udhëheqja ushtarake në atë kohë, akuza që ushtria i mohon.

“Pakistani ka ndërmarrë një hap të madh dhe të paprecedentë për të gjykuar përmes gjyqit ushtarak një ish-shef të zbulimit”, tha Michael Kugelman, drejtor i Institutit të Azisë Jugore në Qendrën Wilson në Uashington.

“Duke pasur parasysh rrethanat aktuale politike, është e pamundur ta vlerësosh këtë zhvillim të shkëputur nga lidhjet e Faizit me Imran Khanin”, shkroi zoti Kugelman në rrjetin social X, i njohur më parë si ‘Twitter’.

Zoti Khan, i cili mbetet politikani më popullor në Pakistan, u dërgua në burg një vit më parë pasi u dënua në një rast korrupsioni.

Gjykatat e apelit që atëherë kanë rrëzuar ose pezulluar të gjitha dënimet e tij për shkak të mungesës së provave. Megjithatë, autoritetet ngritën menjëherë çështje të reja kundër zotit Khan duke e mbajtur atë në burg. /VOA

Powered by WordPress