Sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja, karrierën mund ta vazhdojë në elitën e futbollit gjerman.
Të hënën mediumet gjermane kanë raportuar se për Brojën ka shprehur interesim skuadra që do të garojë në Ligën e Kampionëve, Stuttgart.
Në fakt, Stuttgarti është duke kërkuar huazimin e sulmuesit të Shqipërisë nga Chelsea, shkruan “Gazeta Express”.
Broja nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri të Chelseat, Enzo Maresca.
Broja së bashku me Romelu Lukakun dhe mbrojtësin Trevoh Chalobah janë dërguar për t’u stërvitur me ekipin U21 të Chelseat, deri në zgjidhjen e kësaj situate.
Për 22-vjeçarin kanë shprehur interesim edhe disa skuadra të tjera evropiane si Dortmundi, Milani, Juventusi dhe Monaco.
Gjysmën e sezonit të kaluar, Broja e kaloi te Fulhami, derisa më herët në karrierën e tij, sulmuesi shqiptar ka luajtur edhe te Southamptoni e te Vitesse.