Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar sot kundër diskriminimit nga Serbia. Protesta “Për Identitet dhe Dinjitet” u mbajt në Bujanoc, ku morën pjesë numër i madh i qytetarëve.
“Dija nuk nostrifikohet”, “Stop pasivizimit selektiv” e “Kthema adresën” kanë qenë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkuan të drejtat e tyre duke refuzuar diskriminimin e vazhdueshëm.
Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) thotë se protesta ka qenë e qetë, pavarësisht provokimeve nga njerëz të ndryshëm.
Në intervistën për KosovaPress, Mustafi thekson se protesta e sotme është revoltë ndaj Beogradit zyrtar, i cili po vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve legjitim të Luginës së Preshevës, njohjen e diplomave nga Kosova menjëherë, ndërprerjen e pasivizimit të adresave dhe kthimit të adresave të gjithë atyre që janë pasivizuar dhe një mori padrejtësish që janë duke i përjetuar dhe që po përballen banorët e Luginës së Preshevës”, deklaron ai.
Mesazhi i shqiptarëve të luginës, siç shton Mustafi ka qenë i qartë dhe se të njëjtit do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre legjitime.
Ai shton se ka pasur tendencë për të penguar këtë protestë, me fushata të organizuara nga organet e rendit dhe ligj-zbatuese.
“Kanë qenë provokime nga njerëz të ndryshëm, qytetarët të cilët nuk kanë rënë pre e atyre provokimeve. Kanë qenë edhe më herët ato që i përmenda përmes organeve të rendit kanë tentuar në çdo formë ta pengojnë dhe ta minimizojnë përmes fushatave të ndryshme. Ka pasur paralajmërime nga më të ndryshmet por që kaloi e qetë dhe pa incidente të theksuara”, përfundon Mustafi.
Në rast se nuk merren parasysh kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Mustafi thekson se Këshilli Organizativ do të vendos se si të vijojë protestën.