Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ministri Aliu thotë se nuk ka asnjë arsye që ura mbi lumin Ibër të mos hapet

Ministri Aliu thotë se nuk ka asnjë arsye që ura mbi lumin Ibër të mos hapet

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu deklaroi se nuk ka asnjë arsye që ura mbi lumin Ibër të mos hapet, derisa potencoi se tashmë është bërë edhe shqyrtimi teknik i saj.

Në një intervistë për KosovaPress, ministri Aliu thekson se punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, të filluara para rreth tetë viteve, pritet që të përfundojnë në fund të vitit 2024.

Përveç kësaj, Aliu flet edhe për punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan, për çka thotë se është hasur në vështirësi gjatë procesit.

Sipas tij, nuk mund të premtohet diçka konkrete rreth këtyre punimeve, pasi ka pasur shembje të cilat ndikuan komplet në ndryshim të projektit.

Ndërkaq, shton se synimi i radhës mbetet hapja e korridorit ajror me Malin e Zi.

“Ajo është çështje politike në të cilën ne si ministri jemi të përfshirë në aspektin teknik të saj. Sa i përket aspektit teknik, është bërë shqyrtimi teknik i urës dhe mbetet të marrim përgjigje. Unë mendoj që në aspektin teknik është, po flas paraprakisht nuk shohim që ka ndonjë problem, por megjithatë shqyrtimet do të japin rezultatet e veta në aspektin teknik të funksionimit të urës. Marrëveshja politike ekziston shumë herë dhe është dashur të hapet. Nuk ka ndonjë arsye të mos hapet, urat bashkojnë njerëzit”, thotë Aliu.

Aliu potencon se sipas dinamikës aktuale, në magjistralen Prishtinë-Podujevë pritet që në fund të këtij viti të ketë frekuentim të rregullt me katër korsi.

“Ne jemi duke bërë çmos që punët në magjistralen Prishtinë-Podujevë të ecin sipas dinamikës që është e paraparë dhe ashtu është duke ndodhur. Pra, brenda afatit një vjeçar, që mendojmë që në fundin e këtij viti do të kemi frekuentim të rregullt, me katër korsi të kësaj rruge”, potencon Aliu.

Aliu thotë se punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë pritet të kryhen brenda këtij viti, porse nuk e premton të njëjtën për autostradën Prishtinë-Gjilan.

“Te rruga në Mitrovicë ka një dinamikë të rregullt, edhe atje presim që gjithçka ta kryejmë brenda këtij viti. Sidomos pjesën që e kemi veç me katër korsi deri në Vushtrri, veçse e kemi pothuajse të përfunduar…Tek pjesa e Gjilanit kemi vështirësi. Ka pasur disa probleme me skarpatet, ka pasur shembje të ndryshme, që kanë detyruar të ndryshohet komplet projekti. Janë probleme të vazhdueshme që janë punë të kontraktuara më herët. Nuk mund të jap premtim tek rruga e Gjilanit, por jemi duke u munduar maksimalisht”, thekson Aliu.

Përveç këtyre, Aliu tregon se korridori ajror me Shqipërinë është në funksion, derisa shton se synimi tashmë është që të hapet edhe me Malin e Zi.

“Korridori ajror me Shqipërinë është në funksion. Mbetet korridori ajror me Malin e Zi. Pra, hapja e korridorit ajror me Shqipërinë ka bërë që rrugët ajrore nga Evropa të jenë më të shkurtra, të mos ketë nevojë të shkohet deri në Maqedoni. Tash, na mbetet para vetes që ta hapim korridorin me Malin e Zi”, tha ai

Powered by WordPress